Film

Netflix me reklama erdhi


Mirë se erdhët në epokën e re digjitale të gjigandit mediatik Netflix, i cili për të parën herë prej krijimit, do të fusë mes filmave reklama të ndryshme, me qëllim uljen e kostos për konsumatorët.

Një lëvizje kjo, e cila vjen pas një “eksodi masiv” të përdoruesve të rrjetit të programacionit me pagesë, ku vetëm vitin e fundit kanë hequr dorë nga abonim mbi 1 milion përdorues.

Me planin e ri të quajtur “bazik”, i cili do të kushtojë 6.99 dollarë në muaj, Netflix pret të rikthejë në ekranin e vogël të gjithë të larguarit.

Implementimi i reklamave, do të bëhet automatikisht tek këta përdorues, çdo 15 apo 30 minuta, në varësi të shfaqjes të cilën ata po e ndjekin.

Teksa, planet e tjera të abonimit, do të mbeten të paprekura, ku tarifimi i dytë më i lirë është plani bazë me 9.99 dollarë në muaj, pa asnjë reklamë.

Nuk është një ndryshore e madhe gjithsesi mes dy paketave dhe ekspertë të ndryshëm janë skeptikë që tani për “lëshimin” që Netflix po bën, me qëllim ruajtjen e audiencës.

Sipas tyre, në realitet është përmbajtja e dobët që platforma po ofron momentalisht, ajo e cila e ka fajin për largimet dhe jo çmimi në vetvete.

Netflix në fakt, ofron rangun e paketave ndër më të lirat në SHBA dhe botë, sa i përket abonimeve. Por, thelbësisht ndryshon varieteti i programacionit, i cili kohët e fundit ka lënë për të dëshiruar.

Në muajt e parë, abonimet do të lejohen vetëm në SHBA, Kanada, Australi, Brazil, Francë, Itali, Gjermani, Japoni, Korenë e Jugut, Meksikë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Shtetet e tjera, duhet ende t’i qëndrojnë besnike paketave pa reklama, nëse dëshirojnë të shijojnë atë çfarë platforma online ofron.

Pyetja që shtrohet për të tjerët ndërkaq, është e thjeshtë: Ja vlen të kursesh 3 dollarë në muaj, për të parë një mori reklamash që ndërpresin filmat e serialet?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore