Film

Netflix do të shpenzojë 2.5 miliardë dollarë për përmbajtjen koreano-jugore


Netflix ka njoftuar se do të shpenzojë 2.5 miliardë dollarë për përmbajtjen e Koresë së Jugut në shenjën më të fundit të popullaritetit shpërthyes të kulturës koreane në mbarë botën.

Ted Sarandos, shefi ekzekutiv i kompanisë, e bëri njoftimin pas një takimi me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, i cili ndodhet në një vizitë gjashtë-ditore në SHBA.

“Ne ishim në gjendje ta merrnim këtë vendim sepse kemi besim të madh se industria krijuese koreane do të vazhdojë të tregojë histori të shkëlqyera”, ka thënë Sarandos.

Sakaq, Yoon e përshëndeti njoftimin si një mundësi të madhe për krijuesit koreanë dhe Netflix.

Vitet e fundit, filmi dhe muzika e Koresë së Jugut kanë fituar famë globale mes suksesit mahnitës të K-pop-it, duke përfshirë BTS dhe Blackpink, dhe filma të tillë si “Parasite” – fitues i Oskarit.

Seriali “Squid Game”, i cili tregon historinë e konkurrentëve borxhlinj në një garë vdekjeprurëse për një çmim në para, u bë shfaqja më e ndjekur e Netflix-it të të gjitha kohërave pas publikimit në vitin 2021, duke grumbulluar shpejt më shumë se 1.6 miliardë shikime.

Kohët e fundit, “The Glory” i prodhuar nga Koreja, një dramë për një grua që kërkon hakmarrje ndaj dhunuesve të saj nga shkolla, është renditur ndër shfaqjet e njohura në faqe.

Më shumë se gjashtë në 10 shikues të Netflix shikuan një program të prodhuar nga Koreja e Jugut në faqe në vitin 2022, sipas të dhënave të kompanisë.

Sarandos ka thënë se investimi pasqyronte besimin e Netflix-it se krijuesit koreano-jugor do të vazhdonin të tregojnë histori të shkëlqyera.

“Është e pabesueshme që dashuria ndaj shfaqjeve koreane ka çuar në një interes më të gjerë për Korenë, falë tregimeve bindëse të krijuesve koreanë”, ka shtuar ai.

“Historitë e tyre tani janë në zemër të kultit kulturor global”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore