Gjykata Speciale

Nëse Specialja s’e kontakton për Masakrën e Dubravës, “dëshmohet se është një-etnike”


Enver Dugolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, ka thënë për Albanian Post se pas dëshmive të prezantuara në një konferencë për media të shtunën është kontaktuar nga një avokat i njërit nga ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare që po mbahet në Hagë.

“Një avokat i një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dënuar nga Gjykata Speciale tashmë më ka kontaktuar, por nuk e di a ka të bëjë me këtë apo me diçka tjetër”, tha Dugolli, duke konfirmuar gjithashtu se ekipi nga Haga i kanë “kërkuar takim”.

Dugolli prezantoi në konferencë për media dëshmi të ngjarjeve nga masakra e ndodhur në Burgun e Dubravë në maj të vitit 1999 dhe deklaroi se është i gatshëm t’i dorëzojë ato pranë Prokurorisë së Specializuar, megjithatë, përkundër se kanë kaluar mbi 72 orë, ai nuk është kontaktuar fare nga Dhomat e Specializuara.

“Nuk pres kaq shpejt të më lajmërohen, sepse është një çështje goxha serioze. E kam dërguar edhe me postë. Por unë besoj që Specialja do të veprojë, sepse nuk ka asnjë arsyeje që mos të ndërmerr hapa konkret për rastin në fjalë”, deklaroi Dugolli për AP-në.

Dugolli dorëzon dëshmi në Speciale: Prokuroria të nis hetimet për masakrën e Dubravës

Sipas Dugollit, nëse nuk kontaktohet fare nga Specialja, atëherë dëshmohet se gjykata është një-etnike.

“Edhe në raportin e Dick Marty përmenden krimet e Serbisë që i ka kryer, përmenden edhe të zhdukurit”, thotë Dugolli, duke aluduar se Specialja do të duhej të trajtonte atë që ai ka për të ofruar si dëshmi.

Deputeti ka treguar edhe se të gjithë dëshmitarët janë të gatshëm për të dëshmuar dhe për të dhënë kontribut në çdo aspekt që kjo masakër të trajtohet si duhet dhe kryerësit të marrin dënimin e merituar.

“Është shumë lehtë e argumentueshme masakra e Dubravës, gjithçka është bërë me direktiva dhe urdhra shtetërore, gjithçka ka qenë e planifikuar”.

Edhe sipas avokatit Tahir Rrecaj, Gjykata Speciale “nuk duhet të jetë një-etnike”, prandaj do të duhej të shqyrtonte edhe raste që kanë të bëjnë me të dyshuar serbë gjatë kohës së luftës.

“Nuk duhet se do t’i hetojë vetëm krimet e pretenduara të shqiptarëve edhe pse tash janë duke e gjykuar vetëm UÇK-në. Duhet t’i dërgojë dëshmitë zotëri Dugolli dhe patjetër që duhet të fillojnë hetimet. Kanë mandat dhe e kanë obligim”, potencoi Rrecaj.

“Ky duhet të jetë rast i veçantë, por është në kompetencë të Dhomave të Specializuara”, pohoi ai.

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në adresë të Gjykatës Speciale për ti pyetur nëse e kanë pranuar kërkesën e Dugollit, por nga ky institucion i drejtësisë nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimi e këtij artikulli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore