Lajme

Nëse s’largohen shpejt barrikadat Veriu do shndërrohet në anarki, “Qeveria mos ta pres KFOR-in”


Foto nga Albanian Post

Sulmet e bandave kriminale serbe ndaj gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it, nuk e kanë bindur ende komandantin e Forcave Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Gjeneralin Major Angelo Michele Ristuccia, që t’i largojë 11 barrikadat në Veri.

Edhe takimi i së hënës mes Ristuccia-s dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nuk ka rezultuar me përfundime konkrete, përveç një pajtimi të përgjithshëm se duhet të largohen barrikadat.

Në anën tjetër, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për çështje të sigurisë, Fatmir Humolli, thotë për Albanian Post se barrikadat duhet të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Qeveria nuk duhet ta pres KFOR-in, por duhet bashkë me KFOR-in ta realizojë planin e vet operativ. Duhet ta bëjë me KFOR-in apo në një mënyrë tjetër”, tha Humolli.

Por, Humolli potencon se “problemi është te rezoluta 1244 pasi ajo e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë”.

“KFOR-i duhet ta kuptojë që e kanë kryer misionin e vet. Duhet ta kuptojnë të gjithë që Kosova është shtet i pavarur”.

Madje sipas tij, pranimi i letrës nga Serbia për të dërguar diku rreth 1 mijë pjesëtarë të forcave së sigurisë serbe për në Kosovë, “i jep fuqi bandave kriminale në Veri”.

“Pranimi i letrës nga KFOR-i i trimëron bandat në Veri”, shton ai.

“KFOR-i po bëjnë analiza që a t’i kthejnë përgjigje a jo Serbisë, duhet të këndellet Prishtina dhe Tirana. Nuk ka mundësi kështu që ta injorojnë faktorin shqiptar në Ballkan”.

Ndërkaq për njohësin e çështjeve të sigurisë, Avni Islamin, mos reagimi dhe mos veprimi i KFOR-it, i fuqizon kriminelët në Veri, që sipas tij, udhëhiqen nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Sa më tepër që vonohet largimi i barrikadave në veriun e Kosovës, ajo pjesë do të bëhet një vend ku do të sundojë anarkia dhe do të merret në dorë nga bandat të cilat janë duke vepruar dhe sinkronizuar të gjitha veprimet e tyre me strukturat e sigurisë së Serbisë, të cilat janë duke vepruar ilegalisht në Kosovë”, theksoi Islami për AP.

Prandaj, ai insiston që strukturat e sigurisë në vend në bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in dhe EULEX-in duhet të operojnë së bashku në veriun e Kosovës.

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në Veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Edhe pse institucionet e Kosovës thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në Veri, ata shtuan se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për 14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes brenda 17 ditëve, 13 punëtorë të medias janë sulmuar në Veri, në mesin e tyre kanë qenë gazetarë/e, fotoreporterë, kameramanë, shoferë.

Kurse, më 26 dhjetor, rreth orës 20:00 të së dielës u dëgjuan breshëri armësh në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës, afër njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore