Lajme

Nëntë raste të dhunës në familje, të raportuara në Policinë e Kosovës për një ditë


Nuk ka ditë që në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës të mos raportohen raste për dhunë në familje.

Në këtë raport zyrtar të ditës së premte, Policia ka raportuar disa raste të dhunës në familje, për cdo ditë.

Në raportin e të premtes i cili mbledhë veprat e kryera një ditë më parë, janë të evidentuara nëntë raste të “dhunës në familje”.

Në rajonin e Prishtinës janë raportuar katër raste të dhunës familjare.

Në kryeqytet një grua ka raportuar burrin e sajë për sulm fizik. Pas intervistimit të të dyshuarit nga Policia, prokurori i rastit ka vendosur ta qoj në mbajtje për 24 orë.

Po në Prishtinë një grua është sulmuar fizikisht nga ish bashkëshorti i saj, të cilin ajo më pas e ka raportuar në Polici. Në deklaratën e policisë thuhet se edhe pse janë të ndarë ata jetojnë në të njëjtin vendbanim. Edhe këtë burrë dhunues, pas intervistimit, prokurori e ka dërguar në mbajtje.

Në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një burrë i cili kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij një ditë më parë. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

Edhe në qytetin e Lipjanit u shënua një rast i dhunës në familje. Por në këtë rast gruaja e ka rrahur burrin. E ndihmuar edhe nga vajza ajo është raportuar në Polici se ka ushtruar hunë psikike dhe fizike ndaj tij. Të dyja pasi i ka intervistuar Policia, me vendim të prokurorit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Policia Rajonale e Prizrenit ka raportuar tri raste të dhunës në familje.

Të enjten rreth orës 22 të natës, një burrë e ka raportuar gruan e tij për dhunë në familje. Ai ka deklaruar në Polici se bashkëshortja e tij ka ushtruar dhunë fizike ndaj sajë. Viktima ka marrë tretman mjekësorë, dhe pas intervistimit edhe bashkëshortja e tij është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit të rastit.

Edhe pse të pa kurorëzuar, një burrë në Prizren e ka sulmuar fizikisht gruan me të cilën po bashkëjetonte. Për kryerjen e veprës “dhunë në familje”, Policia i ka intervistuar të dy dhe më pas prokuroria ka vendosur të vazhdoj hetimin e rastit duke i lënë të dy të lirë.

Edhe një tjetër grua nga Prizreni ka raportuar bashkëshortin e sajë për dhunë psikike dhe fizike.

Rreth orës 13:00 të mesditës të së enjtes, gruaja ka raportuar rastin në Polici dhe pas intervistimit, prokurori ka vendosur ti lë të lirë duke vazhduar hetimet e rastit në procedurë të rregullt.

Në raportin 24 orësh të policisë, në nivel vendi, Drejtoria Rajonale e Policisë së Pejës ka raportuar për dy raste të dhunës në familje.

Një grua nga Istogu e ka raportuar në polici bashkëshortin e saj, pasi që ai “në vazhdimësi është duke ushtruar dhunë psikike ndaj saj”. Të dyshuarin, Policia e ka arrestuar dhe pas intervistimit prokurori e ka dërguar në mbajtje për 24 orë.

Rreth orës një të natës, një burrë nga Istogu ka raportuar vëllain e tij, pasi që i njëjti e kishte sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas intervistimit, vëllai dhunues u dërgua në mbajtje për 24 orë me vendim të prokurorit.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës ka raportuar për gjashtë raste të dhunës në Familje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore