Lajme

Nënshkruhet marrëveshja – Italia i kthen Greqisë dy fragmente të Parthenon-it


Italia do t’i kthejë një fragment të “Mermerëve të Parthenon-it” Greqisë. Kjo, në bazë të një marrëveshjeje kulturore nënshkruar midis Greqisë dhe Italisë, e cila është e vlefshme për katër vjet dhe mund të rinovohet vetëm një herë.

Fragmenti është pjesë e një koleksioni që dikur zotërohej nga ish-konsulli britanik për Sicilinë dhe Maltën, Robert Fagan.

Shtëpia e tij aktuale është Muzeu Arkeologjik Rajonal “Antonino Salinas” i Palermos.

Pas një dialogu midis administratës së guvernatorit sicilian Nello Musumeci dhe ministrit Mendoni, përkatësisht nga Muzeu Arkeologjik Rajonal “Antonio Salinas” dhe Muzeu i Akropolit, u vendos transferimi dhe shkëmbimi shumëvjeçar i artefakteve.

Muzeu Salinas do të transferojë fragmentin e Parthenon-it, të cilin Universiteti i Palermos e bleu nga e veja e Faganit në 1820, në Muzeun e Akropolit.

Transferimi nga Muzeu i Akropolit

Dy pjesë të rëndësishme do të transferohen nga Muzeu i Akropolit për katër vjet.

Njëra prej tyre është një statujë pa kokë e Athinës dhe daton nga fundi i shekullit të V-të para Krishtit. Tjetra, një amforë e gjysmës së parë të shekullit të VIII-të para Krishtit.

Ekziston edhe një marrëveshje për një partneritet mes muzeve për të organizuar nisma të përbashkëta kulturore me rëndësi ndërkombëtare.

Sicilia, në fakt, dëshiron ta kthejë veprën përfundimisht në Greqi dhe qeveria rajonale i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës së Republikës Italiane të veprojë.

Çështja po shqyrtohet nga “komiteti për rikuperimin dhe kthimin e sendeve kulturore” të ministrisë.

Kthimi i fragmentit konfirmon ndjenjat vëllazërore midis Sicilisë dhe Greqisë, bazuar në rrënjët e tyre të përbashkëta mesdhetare dhe lidhjet e lashta dhe të thella midis këtyre dy vendeve.

Komisioni Ndërqeveritar i UNESCO-s për Kthimin e Pasurive Kulturore në Vendet e Origjinës i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar të “rishqyrtojë pozicionin e saj dhe të negociojë me Greqinë.

Që prej vitit 1984, Greqia ka kërkuar kthimin e Skulpturave të Parthenon-it që mbahen në Muzeun Britanik në Londër.

Marrë nga “Forbes”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore