Lajme

Nënshkrimi i marrëveshjes me MCC-në, Haradinaj: Kemi shpresuar se granti do të investohej në gazsjellësin


Ramush Haradinaj

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit në fushën e energjetikës ka shuar shpresat e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili ka deklaruar se ai besonte që ky granti me vlerë prej 202 milionë dollarëve do të investohej për ndërtimin e projektit amerikan të gazsjellësit.

Ai tha se projekti amerikan i gazsjellësit që lidhë Prishtinën me Shkupin do ta ndryshonte thellësisht gjendjen energjetike në vend.

“Do të jepte opsione plus qoftë për burimet e energjisë, qoftë për çmimin, për plotë situata tjera, na vjen keq që nuk është ashtu, është humbje e madhe për Kosovën, është mirë që paret e MCC-së pra po i dedikohen Kosovës prapë se prapë, pra nuk po humbet ai buxhet” ka thënë Haradinaj në Klan Kosova.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, gazsjellësi amerikan do të siguronte një burim të përjetshëm të energjisë në Kosovë.

“Po ta sjellnim gazsjellësin amerikan në Prishtinë me investim amerikan, me paret e Amerikës, do të fitonim një burim alternativ, strategjik, të garantuar, të mbrojtur në plotë drejtime se është me investim amerikan dhe do të kishim një burim të përjetshëm energjie në Kosovë për tu përballë me sfidat e mijëvjeçarit në Kosovë, me energji të pastër, sepse energjia nga gazi është e pastër, më e pastër se energjia me thëngjill”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore