Financa

Në tremujorin e fundit 2023 paga mesatare në sektorin financiar u rrit me 12%


Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, paga mesatare në sektorin financiar u rrit me thuajse 12 për qind.

Paga mesatare bruto në grupin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit arriti në 148 mijë e 597 lekë në muaj, shumë afër nivelit maksimal historik prej 149 mijë e 091 lekësh që ishte regjistruar në tremujorin e dytë të vitit 2023.

Referuar të dhënave nga INSTAT, me bazë vjetore, rritje e pagës mesatare në sektorin financiar ishte më e ulët, me 4.5 për qind më shumë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022.

Tendencat më afatgjata sakaq, dëshmojnë një rritje me ritme të shpejta të pagës mesatare në sektorin financiar.

Që nga fundi i vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në këtë sektor është rritur me thuajse 30 për qind.

Ndërkohë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e sektorit bankar për personelin u rritën për të katërtin vit radhazi vitin e kaluar.

Shpenzimet për personelin arritën vlerën e 15.7 miliardë lekëve, në rritje me afërsisht 21 për qind krahasuar me një vit më parë.

Rritja e shpenzimeve të personelit ka ardhur nga zgjerimi i punësimit, por edhe nga rritja e pagave.

Në fund të vitit 2023 – nga Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave – bankat raportonin 7 mijë e 24 të punësuar, në rritje me 4.3 për qind krahasuar me një vit më parë.

Punësimi në sektorin bankar është rritur për të pestin vit radhazi dhe ka kaluar nivelin e mëparshëm më të lartë, që ishte regjistruar në vitin 2016.

Asokohe, nisi cikli i shitblerjeve dhe i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

Por ekspertët besojnë se efekt më të lartë në rritjen e shpenzimeve për personelin e ka dhënë rritja e pagave.

Një tendencë e ngjashme vërehet edhe në segmentet e tregut financiar jo-bankar dhe atij të sigurimeve.

Ekonomia shqiptare po përballet me vështirësi për forcë pune të specializuar dhe me rritje të kostos së punës.

Kjo mund të shpjegohet me konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Evropë dhe emigracionin e lartë mes të rinjve.

Po ashtu sektori financiar po përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm.

Lëvizjet e mëdha të stafit i kanë detyruar të rishikojnë rritje pagash. Sipas Monitor, kjo trysni u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, në vitin 2022.

Rritja e pagave besohet se është mbështetur edhe nga performanca pozitive e sektorit dhe rritja e fitimeve gjatë viteve të fundit.

Fitimi neto i sektorit bankar për vitin 2023 arriti vlerën e 28.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.7 për qind krahasuar me një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore