Shqipëria

Në tre vitet e fundit, rritje e numrit të shqiptarëve të larguar drejt BE – 27 mijë vetëm në Gjermani


Në tre vitet e fundit, numri i shqiptarëve që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian është rritur me gati 30 mijë persona, sipas Eurostat-it.

Kjo e fundit ka dalë në përfundimin se shtetet e BE-së, deri në fund të vitit 2021, kishin regjistruar 566 mijë shqiptarë – këtu nuk është llogaritur Greqia.

Por, pjesa më e madhe e tyre ndodhet në Itali, ku janë regjistruar 433 mijë shtetas shqiptarë, 76% e deklarimeve.

Sakaq u vërejt një tendencë e re për të ikur drejt Gjermanisë. Nga 30 mijë persona që kanë arritur të regjistrohen në një vend të BE-së në tre vitet e fundit, rreth 27 mijë e 300 prej tyre kanë ikur drejt Gjermanisë, duke e çuar numrin në total në 76 mijë e 582 persona.

Gjermania është renditur e dyta pas Italisë – kjo pasi shteti grek nuk është përllogaritur – për numrin e shtetasve shqiptarë në total që jetojnë në një vend të BE-së.

Që prej vitit 2018 shteti gjerman – duke u bazuar në të dhënat e Eurostat – i ka shtuar lejet e qëndrimit për shqiptarët, shkak ka qenë kufizimi i tregut të punës atje. Gjermania ka kërkuar nga e gjithë bota punonjës me profesion mjekë, infermierë dhe ata që kanë mbaruar teknologji informacioni – këto janë ndër profesionet më të kërkuara në Gjermani.

Në atë vit mbi 10 mijë shtetas shqiptarë u pajisën me leje qëndrimi për të jetuar e punuar në Gjermani. Në 2019-ën, numri i tyre i kaloi 12 mijë. Në 2020-ën – pavarësisht pandemisë së COVID-19 – u dhanë rreth 8 mijë e 300 leje qëndrimi.

Franca sakaq vjen pas Gjermanisë, e cila ka parë një tenndencë rritjeje vitet e fundit të shtetasve shqiptarë me rreth 8 mijë e 500 persona – në total 32 mijë e 904.

Numri i shtetasve shqiptarë që jeotjnë në vendet e BE-së – pa Greqinë

Ndryshe nga Gjermania – ku përgjithësisht personat kanë një kontratë pune dhe figurojnë të regjistruar si rezidentë – në Francë është shumë më i lartë numri i personave që kërkojnë azil.

Sipas kësaj të fundit këta persona për rrjedhojë mund të mos figurojnë ne regjistrimet e shtetasve jo të BE-së që jetojnë në Francë.

Për të njëjtën periudhë është ulur me rreth 7 mijë persona numri i shqiptarëve në Itali. Italia mbetet gjithsesi shteti kryesor pritës me 433 mijë e 130 shtetas shqiptarë.

Në vendet e tjera të BE-së janë të regjistruar më pak sesa 7 mijë persona. Franca ndiqet nga Belgjika më 6 mijë e 807, Suedia 6 mijë e 184 dhe Austria me 3 mijë e 38 shtetas shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore