Lajme

Në Serbi kërkohet referendum për planin evropian


Kuvendi i Serbisë

Partia Popullore në Serbi përmes kreut të grupit të saj parlamentar, Miroslav Aleksiç, ka dorëzuar të martën te kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, kërkesën për një seancë parlamentare ku duhet të diskutohet mbajtja e një referundimi për propozimin franko-gjerman i mëshiruar tashmë në një Marrëveshje për normalizimin e raporteve për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan të paktën deklarativisht.

Gjatë një konference për media, ai iu është përgjigjur edhe pyetjes nëse kjo parti e përkrah apo jo propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo ai refuzoi të përgjigjej për këtë çështje, por potencoi se “do të kërkojmë një iniciativë popullore për mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e referendumit”, raporton mediumi serb, Danas.

“Qytetarët si mbajtës të pushtetit duhet të pyeten nëse do ta pranojnë apo do ta refuzojnë propozimin franko-gjerman”, tha Aleksiç.

Po ashtu, deputeti serb e akuzoi presidentin, Aleksandër Vuçiç, për shkelje të Kushtetutës, kjo pasi që sipas tij ky i fundit ka pranuar “marrëveshjen që de facto nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe i mundëson Kosovës anëtarësimin e institucioneve ndërkombëtare”.

Ndërkaq, Aleksiç komentoi edhe deklaratën e ministrit të ekonomisë në Qeverinë e Serbisë, i cili është deklaruar në favor të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, duke vlerësuar se Qeveria e Serbisë “po heshtë për një kohë të gjatë si për çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë ashtu edhe për këtë çështje të propozimit gjermano-francez”.

“Partia Popullore po lufton kundër regjimit të Vuçiç’it, partia kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por se para këtyre zgjedhjeve secila parti duhet të deklarojë qartë si planin gjermano-francez, ashtu edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore