Lajme

Në qendër të Prishtinës një lokal përfshihet nga zjarri


Lokali që u përfshi nga zjarri në Prishtinë

Në qendër të Prishtinës një lokal është përfshirë nga zjarri, në mes të ditës.

Lokali që u përfshi nga zjarri gjendet fare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, përballë “Newborn” në kryeqytet.

Albanian Post ka siguruar fotografi dhe video nga vendi i ngjarjes.

“Rreth orës 13:00, është pranuar informata për zjarr në një lokal në rrugën Luan Haradinaj, në Prishtinë”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësja për medie në Policisë e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes”.

Ahmeti ka treguar se në vendin ku shpërtheu zjarri të hënën në mesditë kanë dalë “po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët janë duke bërë përpjekje për të lokalizuar zjarrin në atë pjesë”.

Zjarri ka arritur të lokalizohet rreth orës 13:30, njofton Flora Ahmeti.

“Nuk raportohet për ndonjë person të lënduar. Janë shkaktuar vetëm dëme materiale”.

“Aktualisht policia ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve që konsistojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes kanë thënë për Albanian Post se “nuk ka të lënduar”, por punëtorët e bizneseve përreth “kishin shumë vështirësi për të dalë nga vendet e tyre të punës, për shkak të zjarrit dhe tymit të madh”.

Lokali që u përfshi nga zjarri ishte jo funksional, ka deklaruar drejtoresha e Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës Medina Braha.

Ajo tha se organet kompetente do të zhvillojnë hetimet për të kuptuar shkaqet e zjarrit.

“Këtu jemi sot siç njihet “Parku i Heroinave” dhe kemi pasur një rast ku ka pasur djegie të një lokali lart. Fatmirësisht ajo pjesë është jofunksionale dhe nuk është duke u shfrytëzuar dhe fatmirësisht edhe lokalet poshtë nuk janë prekur”.

“Do të thotë që kemi vetëm dëme materiale të pjesës lartë kurse lokalet poshtë nuk kanë pësuar ndonjë djegie. Organet do të bëjnë hetimet dhe do të të vijnë në përfundim se çka është shkaktari por tani zjarri veçse është lokalizuar”.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës Latif Zeka, ka folur për momentin e ndërhyrjes së zjarrfikësve.

“Zjarrfikësit posa e kanë marrë lajmin në 12:49 kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri ka qenë jashtëzakonisht një hov i madh në zhvillim. Por, për fat të mirë ata që në momentin që kanë ardhur e kanë futur në kontroll zjarrin dhe nuk ka dëme përveç atij lartë që ka ndodhur”.

“Lokalet tjera janë lokalizuar dhe janë shpëtuar. Për dëmet materiale nuk e di, janë ekspertët edhe të policisë dhe zjarrfikësve, që është inspektori për parandalimin e zjarreve ku do ta vlerësojmë sa dëme dhe prej çka ka ndodhur zjarri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore