Lajme

Në program prioritet ishte energjia e pastër, Qeveria përfundon duke u shitur qymyr qytetarëve


Qymyri ne Kosove

Një nga premtimet e Qeverisë së Kosovës, vendosur edhe si prioritet në programin qeverisës, ishte stabilizimi i sistemit të energjisë elektrike përmes “energjisë së pastër”.

Edhe alternativat për energji, siç thuhet në program, do të gjendeshin gjithmonë “duke e pasur parasysh edhe ndikimin në mjedis”.

Për më tepër, thuhej se “rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror”.

Asnjë nga këto nuk ka ndodhur, madje tash e tutje, përtej ndotjes së ambientit nga hidrocentralet në Kosovë, Korporata Energjetike të premten mbrëma ka lëshuar një njoftim se do të fillojë me shitjen e qymyrit edhe për biznese e për amvisëri.

“KEK ka ndarë një sasi prej rreth 150,000 tonë, qymyr në minierën e Sibovcit Jug-Perëndim dhe ky proces është planifikuar te kryhet brenda 60 ditëve kalendarike”, thuhet në njoftim.

Siç ceket në lajmërimin e KEK-ut, “sasia për qytetar është e limituar në një kamion prej 10 ton”.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomise, Artane Rizvanolli

E gjitha po bëhet në “bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë”, dhe po bashkë kanë vendosur edhe çmimet me të cilat do të shitet qymyri.

Ai do të jetë 15 euro për një ton qymyr me TVSh, pa përfshirë koston e ngarkimit dhe transportit.

KEK u bën thirrje qytetarëve të interesuar “që të shfrytëzojnë ketë mundësi për furnizim me qymyr për të përballuar më lehtë koston e rritur për ngrohje gjatë sezonit dimëror”.

Ata që duan të blejnë qymyr duhet ta marrin atë te “Drejtoria e minierës në Bardh” derisa “pagesa e qymyrit përmes xhirollogarisë së KEK”.

Një tjetër pagesë do të duhet të bëhet edhe për ngarkesën dhe transportin, të cilin do ta bëjë një operator ekonomik që do ta kontraktojë KEK-u me një çmim fiks.

Përndryshe, në programin e Qeverisë thuhej edhe se “do të hartojmë Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë” dhe gjithashtu “do të rishikojmë kornizën ligjore” me idenë që të jetë në harmoni të plotë me strategjinë e re të energjisë.

Asnjë nga këto ende nuk ka ndodhur, po ashtu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore