Lajme

Në Prishtinë fillon lirimi i hapësirave publike


Lirimi i hapësirave publike në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës, ka filluar me ndërmarrjen e lirimit të hapësirave publike, të hënën e 4 prillit.

Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një cicërime në ‘Twitter’.

Sipas tij, ky është prioriteti i qeverisjes së komunës nën udhëheqjen e Përparim Ramës.

Në fotografitë e publikuara shihet teksa largohet nga oborri i kampusit universitar, një orë e vendosur nga disa kompani private e po ashtu një e tillë është larguar edhe në afërsi të objektit të Komunës së Prishtinës.

Ndryshe, më 11 mars, Drejtori i Investimeve dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, kishte njoftuar se ka filluar largimi i pengesave brenda rrethrrotullimit në Arbëri për të vazhduar në ditët në vijim edhe tek rruga B që lidhet me rrugën “Muharrem Fejza”.

“Sot filluam largimin e pengesave brenda rrethrrotullimit në Arbëri, e njëjta do të ndodhë edhe për pengesat brenda rrethrrotullimit tek rruga B, që lidhet me rrugën ‘Muharrem Fejza’”, ka shkruar Xhaferi në Facebook.

Tutje ai ka thënë, se këtë aksion e kanë ndërmarrë për shkak të ankesave të shumta nga qytetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore