Shqipëria

Në pranga 49-vjeçari në Shkodër, qëlloi me armë drejt efektivëve


Në Shkodër, Policia në bashkëpunim me forcat RENEA ka finalizuar operacionin e koduar “Neutralizimi”.

Kjo erdhi pas informatave të tyre se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Dhe me ndërhyrjen e Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi i shtetasit që qëlloi me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.

Si rezultat i operacionit “Neutralizimi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, A. Gj., 49-vjeç, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit kallashnikov, por edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi gjatë kontrollit.

Sakaq, materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore