Shqipëria

Në një muaj, u 7-fishuan rastet e COVID-19 në Shqipëri


Festa dimërore pa kufizime, raste të shtuara në gjithë Evropën dhe një variant i ri akoma më i transmetueshëm, nën siglën Omicron.

Kaq mjaftoi që, në 30 ditë, incidenca e COVID-19 në Shqipëri të rritej me shtatë herë, duke prekur shifra, të cilat nuk janë parë në asnjë valë të pandemisë prej marsit 2020, kur pandemia zyrtarisht filloi.

Vetëm një muaj më parë, më 20 dhjetor, pak ditë përpara fillimit të kremtimeve për Krishtlindjet dhe ndërrimin e viteve, mesatarja e rasteve të reja në vend arrinte në 98 për 1 milion banorë.

Sot, në Shqipëri, kjo mesatare ka shkuar në 724 raste për milion banorë.

Pavarësisht këtij fakti, ekspertët kanë vendosur se masat e deritanishme, janë normale për kushtet në të cilat vendi ndodhet.

Mbi të gjitha, për faktin se nuk po shihet një fluks i papërballueshëm shtrimesh në spitalin COVID.

Në fakt, statistikat për vdekshmërinë e reflektojnë një pretendim të tillë.

Konstantja është ruajtur, teksa në dhjetor 2020, shifrat e vdekjeve për milion banorë shkonin në 1.59. Sot, sakaq, ato janë në 1.49.

Gjithsesi, duhet përmendur fakti se më 5 janar është shënuar një mesatare e ulët me vetëm 0.6 vdekje për milion banorë.

Mbi të gjitha, duhet ravijëzuar edhe fakti se efektet e shtimeve të rasteve në raste, nuk jepen menjëherë, por me rreth dy javë diferencim.

Thënë kjo, një aspekt “ngushëllues” për Shqipërinë, mund të jenë shifrat e vendeve të tjera të rajonit apo edhe më gjerë.

“Vala e katërt”

Një valë tejet e shtuar e rasteve të reja dhe vdekjeve po përjetohet jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në gjithë Evropën.

COVID-19, me në veçanti variantet Delta dhe Omicron, ka kapluar gjithë kontinentin.

Në fakt, treguesit janë aq të lartë, sa shtatëfishimi i rasteve në Shqipëri, sërish e rendit në një vendet me më së pakti rasti e vdekje në Evropë.

Për sa u përket rasteve, Mali i Zi sheh shifra tronditëse, me mbi 2 mijë e 600 raste ditore për 1 milion banorë.

Incidenca e fqinjëve është më e larta në Evropë dhe rajon. Serbia, po ashtu, sheh mbi 2 mijë raste për milion.

Ndërsa, statistikat e vet Bashkimit Evropian ndalen në 1 mijë e 954.

Kosova është i vetmi vend, i cili e lë pas Shqipërinë në këtë aspekt. Po ashtu, i njëjti skenar është edhe ai për vdekjet, veçse me disa ndryshime.

Shifrat më shqetësuese për këto të fundit, i sheh Bosnjë dhe Hercegovina në rajon, me 9.46 vdekje për milion banorë. Mali i Zi ndjek me 8.19.

Shifra të larta sheh dhe Maqedonia e Veriut, me 6.24 vdekje për milion banorë. Ndërsa, mesatarja për Bashkimin Evropian, shkon në 3.87.

Kjo gjë tregon edhe një herë se, pavarësisht rritjes kaq të madhe në një muaj, Shqipëria ruan pozita të mira krahasimisht me rajonin dhe kontinentin.

Për t’u theksuar, mbetet fakti se kjo valë rishtas e COVID-19, ka goditur pavarësisht vaksinimeve të kryera. Por, ajo çfarë spikat, sipas ekspertëve, mbetet në vdekshmërinë tek vendet ku vaksinimi nuk ka qenë aq i lartë sa duhet.

Pikërisht të pavaksinuarit janë ata tek të cilët po fshihen fatalitetet më të mëdha nga virusi.

Teksa, pandemia, duket se nuk ka ndër mend ta lëshojë botën edhe përgjatë vitit 2022, me paralajmërimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, se variante të tjera mund të marrin jetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore