Lajme

Në mes të divorcit, Bill Gates i kalon gruas së tij aksione me vlerë 2.4 miliardë dollarë


Dy nga njerëzit më të pasur në botë, Bill Gates dhe Melinda Gates, pasi paraqitën kërkesën për divorc, kanë filluar të ndajnë pasurinë e tyre.

Disa nga aksionet e Bill-it me vlerë gati 2.4 miliardë dollarë kanë kaluar në pronësinë e Melindës.

Transferimet u bënë të hënën, në të njëjtën datë që filantropët miliarderë zbuluan në median sociale Twitter se po i jepnin fund martesës së tyre pas 27 vitesh.

Transfertat e aksioneve u zbuluan të martën dhe të mërkurën.

Sipas zbulimeve të paraqitura në Komisionin e Shkëmbimeve të Letrave me Vlerë, Melinda Gates tani është një nga zotërueset më të mëdha në dy kompani meksikane: atë të pijeve Coca-Cola dhe të kompanisë televizive kabllore, Grupo Televisa SA.

Pjesa e saj, prej 4.9% në kompaninë e Coca-Cola, vlerësohej të ishte rreth 121 milionë dollarë, ndërsa 6.7% e aksioneve të saj në Televisa arrinin vlerën e rreth 386 milionë dollarëve.

Bill Gates po ashtu transferoi te gruaja e tij disa nga zotërimet që kishte në kompaninë e transportit hekurudhor, Canadian National Railway Co., dhe në kompaninë më të madhe të tregut të makinave në SHBA, AutoNation Inc.

Aksionet e hekurudhës, rreth 1.9% e kompanisë, u vlerësuan me rreth 1.55 miliardë dollarë dhe 3.7% të aksioneve të AutoNation, e kishin vlerën rreth 307 milionë dollarë.

Sipas revistës Forbes, investimet publike janë pjesë e një pasurie që vlerësohet të jetë më shumë se 130 miliardë dollarë. Çifti do të ndajë pasuritë e tyre në përputhje me një marrëveshje, që ata negociuan para se znj. Gates të paraqiste një kërkesë për divorc të hënën.

Bill Gates ka shitur apo dhuruar pjesën më të madhe të aksioneve të tij në kompaninë Microsoft, kompaninë software, që ai themeloi dhe drejtoi për dekada.

Ai mbajti një pjesë të kompanisë prej 1.3%, me vlerë rreth 25.4 miliardë dollarë, që nga tetori i vitit 2019, pesë muaj para se të hiqte dorë nga bordi i Microsoft.

Çifti janë zotuar të dhurojnë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre dhe gjatë viteve kanë dhuruar më shumë se 36 miliardë dollarë për bamirësi nëpërmjet fondacionit të tyre, Bill & Melinda Gates Foundation.

Pavarësisht nga planet e tyre për divorc, Bill dhe Melinda Gates kanë deklaruar se ata do të vazhdojnë të punojnë së bashku në fondacionin e tyre, i cili dhuron miliarda dollarë në vit pasi synon të trajtojë shkaqet globale të tilla si varfëria dhe sëmundjet. Ata janë bashkëdrejtues të fondacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore