Lajme

Në Kosovë arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal, të hënën nis vaksinimi


Ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se kanë arritur në Kosovë vaksinat kundër gripit sezonal.

Kurse nga e hëna do të filloj vaksinimi.

MSH-ja në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht personave që kanë sëmundje më të rënda që të vaksinohen.

“Vaksinimi kundër Gripit sezonal mund të bëhet çdo ditë pune në Njësitë e vaksinimit të kuadër të Qendrave Kryesore të Mjekësisë familjare në çdo komunë”.

Nga ministria është thënë se kanë siguruar vaksina të mjaftueshme, “prandaj, ftohen qytetarët që nga data 31 tetor e tutje të vaksinohen”.

Gjatë ditës së martë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka alarmuar për variante të reja të COVID-19 që janë duke u shfaqur në vende të ndryshme të botës.

IKSHPK.

Sipas apelit të IKSHPK-së, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se këto variante mund të rrisin numrin e rasteve në javët dhe muajt e ardhshëm në rajonin e Evropës.

“Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia ende nuk ka mbaruar. Sipas vlerësimit të fundit në SHBA, del se BQ.1 dhe BQ.1.1 janë të lidhur ngushtë dhe përbëjnë 16.6% të varianteve të koronavirusit në vend, vlerë kjo e cila gati është dyfishuar nga java e kaluar, përderisa Evropa pret që ato të bëhen variantet dominuese brenda muajit të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHPK-së, këto variante janë pasardhës të nënvariantit BA.5 të Omicronit, i cili është forma dominuese e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.

Rregullatorët në Evropë dhe SHBA kanë rekomanduar kohët e fundit dozat përforcuese të vaksinave.

OBSH-ja këtë javë kishte apeluar se BQ.1.1 është duke qarkulluar në të paktën 29 vende.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, vijon apeli i IKSHPK-së.

Aktualisht, Kosova ka regjistruar numër të vogël të rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit, numri i rasteve aktive është vetëm 21.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore