Kosova

Në ditën e konstituimit të Kuvendit, Albin Kurti kërkon që lumi Vjosa të shpallet “Park Kombëtar”


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, pikërisht në ditën Botërore të Ujit, ka kërkuar që Shqipëria të shpall lumin Vjosa, park Kombëtar dhe të heq dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

“I bashkohem thirrjes së qytetarëve të Shqipërisë, aktivistëve lokal dhe ndërkombëtar, kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE, në zgjedhjet e 25 prillit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që Qeveria e Shqipërisë të shpall lumin Vjosa Park Kombëtar”, ka shkruar Kurti.

Tutje ai ka theksuar se pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë.

Sipas tij, Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë.

“Tani është momenti që bashkë në Kosovë e në Shqipëri të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e t’i restaurojmë e rikthejmë ato që tashmë na i kanë degraduar”, përfundoi Kurti.

Këto fjalë Kurti i ka shkruar pak para se të fillojë seanca në kuvendin e Kosovës ku pritet të zgjedhet ku në bazë të nenit të 12, të rregullores së kuvendit, në mbledhjen konstituive, kuvendi nga radhët e veta i zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët të cilët e përbëjnë kryesinë e kuvendit.

Ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka publikuar në llogarinë e saj në Facebook, një fotografi në të cilën ditën e hënë e ka quajtur “ ditë e bardhë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore