Lajme

Kuvendi i Kosovës konstituohet të hënën, në të njejtën ditë mund të zgjedhet edhe Qeveria


Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të hënën e 22 marsit. Në të njejtën ditë mund të bëhet edhe zgjedhja e Qeverisë.

Kjo vjen 10 ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Por, cilat janë procedurat për zgjedhjen e kreut të legjislativit dhe nënkryetarëve të tij?

Sipas nenit 11 të rregullores së kuvendit të Republikës së Kosovës, pika një thotë se kuvendi zgjedhet me mandat katërvjeçar.

“Mandati fillon nga mbledhja konstituive, e cila mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, shkruhet në rregullore.

Ndërkaq në bazë të nenit të 12, të po të njëjtës rregullore, në mbledhjen konstituive, kuvendi nga radhët e veta i zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët të cilët e përbëjnë kryesinë e kuvendit.

Sipas këtij neni, kryesuesi i mbledhjes konstituive kërkon nga grupi më i madh parlamentar ta propozojë kandidatin për kryetar të kuvendit i cili zgjedhet me shumicën e votave të deputetëve të kuvendit.

Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë.

Në përbërje të kryesisë dhe në trupat e tjerë të punës të kuvendit respektohet përbërja gjinore.

“Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës kërkon nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb dhe nga deputetët, që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera, që nuk janë shumicë, ta propozojnë nga një kandidat për nënkryetar të kuvendit”, thuhet në rregulloren e kuvendit.

Rezultatet e votimit për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të zgjedhur shpallen nga kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës dhe kështu kuvendi konsiderohet i konstituar.

Glauk Konjufca i Vetëvendosjes pritet të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Më 26 dhjetor të vitit 2019, ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ishte zgjedhur kryetar i kuvendit të Kosovës, ku këtë pozitë më pas ia liroi Vjosa Osmanit.

Procedurat për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës:

Pas konsituimit të kuvendit në të njëjtën ditë, në mbledhjen e jashtëzakonshme mund të zgjedhet edhe qeveria.

Mbledhjen e jashtëzakonshme, sipas nenit të 38, mund ta thërrasë presidenti i Kosovës, kryeministri i Kosovës dhe një grup deputetësh që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e deputetëve.

Qeveria zgjedhet nëse e merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve te kuvendit dhe mënyrën e votimit për zgjedhjen e qeverisë e përcakton kuvendi.

Për ta formuar qeverinë, presidenti i vendit pas zgjedhjeve, konsultohet me partinë ose koalicionin që e ka fituar shumicën e vendeve në kuvend. Presidenti i’a propozon kuvendit kandidatin për kryeministër.

Kosova aktualisht ka ushtrues detyre të presidentit. Vjosa Osmani po synon të marr drejtimin e këtij institucioni në pesë vjetët e ardhme.

Ka diskutim nëse pas konstituimit të kuvendit duhet të zgjedhet qeveria apo presidenti/ja.

Presidenti i vendit zgjedhet me anë të grumbullimit të 2/3 e votave, ndërsa për t’u formuar qeveria nevojiten më së paku 61 vota.

Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, LVV ka siguruar 58 deputetë, PDK ka siguruar 19 deputetë, LDK ka siguruar 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi tetë deputetë, Lista Serbe ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Në bazë të rezultateve, LVV-ja ka fituar 50.28 për qind të votave, PDK-ja 17 për qind, LDK-ja 12.73 për qind ndërkaq AAK-ja 7.12 për qind.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48,87%, apo mbi 800 mijë votues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore