Stil

Në Barcelonë, shitësit e rrugës krijojnë markën e tyre të atleteve


Shitësit në rrugët e Barcelonës, pas disa viteve duke shitur kopje të lira të këpucëve dhe çantave të dorës, kanë krijuar një kooperativë dhe kanë nisur një linjë atletesh me emrin e markës Top Manta.

E përditëshmja “The Guardian”, tregon se kësaj here është një përpjekje ndryshe nga ajo e mëparshmja e vitit 2017 kur u krijua një markë duke ngjitur një logo në këpucët e importuara nga Kina.

Atletet e tanishme janë realizuar në Alicante në Spanjë dhe Porto në Portugali.

“Ne gjithmonë jemi kritikuar dhe përndjekur për shitjen e kopjeve, por tani ne kemi markën tonë”, është shprehur Lamine Sarr, një zëdhënëse e Top Manta-s.

Në nisje të bashkëpunimit janë prezantuar atletet Ande Dem. Çka dryshe do të thotë “të ecim së bashku”. Kjo në Wolof, në gjuhën e folur nga shumica e shitësve, të cilët janë kryesisht nga Senegal-i.

Për sa i përket emrit të markës, Top Manta, ai vjen nga batanija në të cilën shitësit vendosin sendet e tyre. Edhe simboli i saj është i një batanijeje.

Gjithashtu përfaqëson edhe dallgët për të pasqyruar faktin se shumica e shitësve kanë mbërritur në Spanjë pasi bënë udhëtimin e rrezikshëm nga deti me anije të vogla me fryrje.

Sarr ka sqaruar se ngjyrat e këpucëve kujtojnë Afrikën dhe se thembrat e thyera i bëjnë atletet më të përshtatshme për të punuar në tokë ose në një vend ndërtimi sesa për vrapim.

Ato u krijuan nga një grup shitësish me ndihmën e dizajnueses vendase, Sara González de Ubieta, dhe një dizajnuese grafike, Helga Juárez.

Top Manta ka vendosur të sjellë ndryshim edhe në krahasim me markat e mëdha, të cilat prodhojnë në masë atlete në vendet me të ardhura të ulëta. Kjo pasi dëshiron të prodhojë në mënyrë të përgjegjshme me synimin e ringjalljes së industrisë artizanale të këpucëve.

Deri më tani janë prodhuar 400 palë atlete që shiten me pakicë për 115 euro. Ato mund të blihen nga dyqani në Barcelonë ose në internet. Dhe të gjitha fitimet shkojnë drejt ndërtimit të markës dhe ndihmës së shitësve dhe familjeve të tyre.

Është realizuar edhe një video promovuese që do të shfaqet në faqen e saj të internetit dhe në mediat sociale.

“Ne jemi shumë të lumtur që kemi këpucët Ande Dem. Është një ëndërr e realizuar”, ka thënë Abdou Lahat Wade, i cili së shpejti do t’i shesë ato.

“Ne po u tregojmë atyre njerëzve që gjithmonë thoshin se nuk ishim në gjendje të bënim këpucët tona se mundemi. Ne jemi si një vëllazëri dhe kjo na jep forcë dhe këmbëngulje për të përballuar të tashmen dhe për të krijuar një të ardhme për veten tonë”, tregon shitësi.

Situata e shkaktuar nga pandemia ka qenë një sforcim për shitësit ambulantë pasi jeta e tyre e pasigurt e punës u lëkund akoma më shumë nga bllokimet dhe mungesa e turistëve, të cilët janë klientët e tyre kryesorë.

“Ka qenë vërtet e vështirë gjatë pandemisë”, Ka thënë Sarr. “Këta janë njerëz që nuk mund të pretendojnë përfitim të papunësisë dhe nuk ka pasur mbështetje nga qeveria. Ne krijuam një bankë ushqimore dhe vendosëm makina qepëse dhe njerëzit erdhën këtu në dyqan për të punuar vullnetarisht duke qepur këpucë dhe rroba”, ka shtuar ajo.

The Guardian tregon se ligjet e Spanjës i dënojnë emigrantët e paligjshëm. Në mënyrë që të marrin qëndrim të ligjshëm, emigrantët jo-anëtarë të Bashkimit Evropian, duhet të jetojnë në vend për tre vjet, të provojnë se kanë pasur një adresë fikse për të paktën një vit, të tregojnë se po mësojnë gjuhën dhe kanë një kontratë pune për një minimum prej një viti.

Mirëpo, për shumë njerëz, mbase për shumicën e tyre, këto kushte janë të pamundura të plotësohen dhe ato mbeten në një harresë të shtetit.

Top Manta, duke krijuar vende pune për prodhimin dhe marketingun e këpucëve, ka arritur të marrë 120 shitës me rezidencë ligjore dhe ka gjetur punë për 25 nga anëtarët e saj. Ajo gjithashtu ofron edhe trajnime në tekstile.

Kur Sarr është pyetur se pse njerëzit duhet të zgjidhte atletet Top Manta në vend të atyre Nike, New Balance ose Adidas, ajo ka thënë se “në vend që të mbështesni një shumëkombëshe që shfrytëzon njerëz të dëshpëruar në botën në zhvillim, ju po ndihmoni një komunitet që diskriminohet në çdo mënyrë. Ju po i ndihmoni njerëzit të bëhen legal dhe të punojnë për një pagë të denjë”.

Marrë dhe përshtatur nga The Guardian për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore