Lajme

Në agjendën e cilave vende evropiane emigrimi do të jetë parësor për vitin 2024?


Aktivistët – teksa qeveritë në të gjithë Evropën ndjekin politika që synojnë frenimin e migracionit në rritje nga vendet aziatike, afrikane dhe të Lindjes së Mesme – kanë ngritur shqetësimin se disa masa të marra nga vendet mund ë kriminalizojnë refugjatët.

Çështja duket se do të mbetet kryesore në agjendën politike pasi sondazhet tregojnë për një luhatje të së djathtës ekstreme në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit dhe migracionin që dominon debatin përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Britani të vitit 2024.

BE-ja synon të rishikojë procedurat e saj të azilit me paktin e ri të azilit dhe migracionit përpara zgjedhjeve të qershorit, duke rritur mbështetjen për vendet si Italia që marrin shumë të ardhur nga deti dhe duke hequr Direktivën e Mbrojtjes së Përkohshme, mekanizmi që lejoi vendet e BE të mirëpresin miliona refugjatë ukrainas.

Ndërkohë, aktivistët janë të mendimit se pakti i ri mund të rrisë ndalimin arbitrar, profilizimin racor dhe riatdhesimet në vendet ku ata janë në rrezik të torturës ose burgimit.

Nga ana tjetër, ekspertët ligjorë thonë se teksa politikat e qeverisë testojnë gjithnjë e më shumë kufijtë e ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, mund të ketë një rritje të sfidave gjyqësore nga grupet e ndihmës dhe avokatët.

Britania e Madhe

Në muajin dhjetor, qeveria e kryeministrit Rishi Sunak ka njoftuar planet për të ulur numrin e emigrantëve të ligjshëm që mbërrijnë pasi emigrimi vjetor neto arriti një rekord prej 745 mijë në vitin 2022.

Si pjesë e strategjisë më të gjerë për të penguar migrimin e paligjshëm, qeveria e Sunak nxori legjislacionin e urgjencës për të dërguar azilkërkuesit në Ruandë.

Projektligji, i cili synonte të anulonte një vendim të Gjykatës së Lartë kundër planit, ende përballet me pengesa parlamentare.

Nëse miratohet, Sunak thotë se fluturimet për në Ruanda do të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm.

Në tre vitet e para të tij, akti i migracionit të paligjshëm i Britanisë së Madhe do të lërë deri në 257 mijë njerëz në harresë dhe kërkesat e tyre për azil do të konsiderohen të papranueshme.

Franca

Sa i përket Francës, ligjvënësit e atjeshëm hodhën poshtë projektligjin e qeverisë për imigracionin në dhjetor.

Ai synonte të përshpejtonte dëbimin e disa emigrantëve, duke e bërë më të lehtë marrjen e lejeve të qëndrimit për ata që punojnë në sektorë që luftojnë për të gjetur punëtorë.

Propozimet kanë shkaktuar kundërshtim si nga ligjvënësit e krahut të majtë për dispozitat e tij strikte, ashtu edhe nga të djathtët, të cilët e konsideruan atë shumë liberal.

Gjermania

Gjermania – e cila mori numrin më të madh të kërkesave për azil në vitin 2023 – po kërkon të frenojë emigrimin me një politikë të re më të ashpër migracioni, me rregulla për të shkurtuar përfitimet duke dyfishuar kohën derisa azilkërkuesit të marrin përfitime të plota sociale.

Së bashku me Austrinë, edhe Gjermania ka shprehur interes për mundësinë e përpunimit të azilkërkuesve jashtë vendit.

Italia

Sipas organizatës bamirëse mjekësore Médecins Sans Frontières, ky vit ishte më vdekjeprurës që nga viti 2017 për kalimin në Mesdheun Qendror të përdorur nga emigrantët për të arritur në Itali, me Tunizinë që kapërcen Libinë si pikën kryesore të nisjes.

Italia – në përpjekje për të penguar fluksin e emigrantëve nga deti në brigjet e saj – ka njoftuar në nëntor se do të ndërtonte dy qendra në Shqipëri për të pritur deri në 36 mijë emigrantë në vit.

Qendrat, njëra në bregdet për identifikim dhe tjetra në brendësi për paraburgim, do të paguhen plotësisht nga Italia dhe do të funksionojnë nën juridiksionin e saj.

Por plani mund të përballet me pengesa burokratike dhe sfida gjyqësore.

Spanja

Agjencia kufitare e BE-së dokumentoi një rekord prej 13 mijë emigrantësh që tentonin rrugën e rrezikshme të Afrikës Perëndimore për në Ishujt Kanarie të Spanjës vetëm në tetor, ndërsa trazirat politike i shtyjnë emigrantët afrikanë të shkojnë në veri.

Shtatë ishujt e arkipelagut janë bërë destinacioni kryesor për emigrantët nga Senegali dhe vende të tjera afrikane që përpiqen të arrijnë në Spanjë.

Duke synuar të reduktojë ardhjet në kufijtë e saj jugorë, BE shpreson të vendosë roje kufitare të BE Frontex në Senegal dhe Mauritani.

Po ashtu blloku dëshiron të arrijë më shumë marrëveshje me vendet e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme për të zvogëluar numrin e emigrantëve që kalojnë Mesdheun.

Belgjika

Belgjika, e cila shkon në qendrat e votimit në qershor për zgjedhjet e përgjithshme, ka parë që koalicioni aktual qeverisës të shtypë emigrimin, me zgjedhjet që ka të ngjarë të theksojnë fokusin tek emigracioni.

Qeveria belge – duke theksuar shqetësimet e sigurisë – dëshiron të shtojë riatdhesimet pasi një azilkërkues i dështuar nga Tunizia vrau dy tifozë suedezë të futbollit në Bruksel në tetor.

Dështimi i strehimit të azilkërkuesve ka çuar në mijëra dënime gjyqësore gjatë dy viteve të fundit.

Grupi i të drejtave Amnesty International po udhëheq sakaq thirrjet që autoritetet të gjejnë strehim për më shumë se dy mijë njerëz që përfundojnë duke fjetur në rrugë.

Holanda

Udhëheqësi populist i ekstremit të djathtë Geert Wilders dhe Partia e tij e Lirisë (PVV) po kërkojnë të formojnë një qeveri koalicioni pas një fitoreje shokuese në zgjedhjet e nëntorit.

Antiislami Wilders ka bërë thirrje shpesh për një ndalim të plotë të emigracionit dhe ka të ngjarë të bashkojë forcat me Hungarinë për të kërkuar një qëndrim shumë më të ashpër të BE-së ndaj emigracionit të parregullt nëse ai do të bëhej kryeministër.

Finlanda

Kurse Finlanda – mes tensioneve më të gjera me Moskën – ka mbyllur përkohësisht të gjithë kufirin e saj me Rusinë në fund të vitit 2023 për të ndaluar fluksin e azilkërkuesve.

Helsinki ka njoftuar se një rritje e kohëve të fundit e azilkërkuesve që mbërrijnë përmes Rusisë ishte një lëvizje e orkestruar nga Moska në hakmarrje për vendimin e vendit nordik për të rritur bashkëpunimin në mbrojtje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një akuzë kjo, që Kremlini e mohon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore