Shqipëria

Ndryshime në Forcën Ajrore, komandant emërohet Ferdinant Dimo


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka shkarkuar nga detyra të mërkurën e 13 shtatorit Komandantin e Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade, Ylli Pulaj, duke emëruar Ferdinant Dimon.

Shkarkimi i Pulajt është bërë me propozim të ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë, Niko Peleshi dhe më pas kreu i shtetit ka nënshkruar dekretin.

Kujtojmë që, kolonelit Ferdinant Vasil Dimo iu dha grada madhore “Gjeneral Brigade” në nëntor të vitit 2021 nga ish-Presidenti Ilir Meta.

Ai ka lindur më datë 6 dhjetor 1964, në Fier.

Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në vitin 1988 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Ndërlidhje”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneral brigade Dimo ka kryer kurse të rëndësishme për komunikimin dhe informatikën në institucione arsimore ushtarake në Itali, Turqi, Hollandë dhe Rumani.

Gjeneral brigade Ferdinant Dimo, gjatë karrierës së tij të gjatë në FA ka kryer detyra të ndryshme, ndër të cilat; “Përgjegjës sektori” dhe “Drejtor” në Drejtorinë e Ndërlidhjes, në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së; “Komandant” i Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit”, në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së.

Pasi drejtoi për një periudhë 14-mujore Forcën Tokësore, në detyrën e zëvendëskomandantit, gjeneralbrigade Ferdinant Dimo u prezantua në muajin prill në detyrën e re, atë të komandantit të Komandës Mbështetëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore