Lajme

Ndryshe nga Meloni, Papa Françesku e quan kthimin e emigrantëve krim


Papa Françesku doli në mbrojtje të emigrantëve të dielën, duke e quajtur përjashtimin e tyre “skandaloz, të neveritshëm dhe mëkatar”.

Kështu ai u vu në një kurs përplasjeje me qeverinë e ardhshme të krahut të djathtë të Italisë.

Françesku i bëri komentet e tij teksa shpalli shenjtor një peshkop të shekullit të XIX-të të njohur si “babai i emigrantëve”.

Papa, i cili e ka kthyer mbështetjen e emigrantëve një temë kryesore të pontifikatit të tij, kryesoi ceremoninë para 50 mijë njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Përjashtimi i emigrantëve është skandaloz. Në të vërtetë, përjashtimi i emigrantëve është kriminal. Kjo i bën ata të vdesin para nesh”, tha ai.

Papa shtoi se kështu Mesdheu është varreza më e madhe në botë, duke iu referuar mijërave që janë mbytur duke u përpjekur të arrijnë në Evropë.

“Përjashtimi i emigrantëve është i neveritshëm, është mëkat. Është kriminale të mos hapësh dyert për ata që janë në nevojë”, tha ai.

Giorgia Meloni pritet të bëhet kryeministre në fund të këtij muaji në krye të një koalicioni të krahut të djathtë që është zotuar të godasë emigracionin dhe të shtrëngojë kufijtë e Italisë.

Ajo ka premtuar riatdhesime të përshpejtuara dhe rregulla më të rrepta për azilin.

Meloni ka bërë thirrje gjithashtu për një bllokadë detare të Afrikës së Veriut për të parandaluar lundrimin e emigrantëve.

Françesku, i cili nuk e përmendi Italinë, tha se disa emigrantë të kthyer janë vendosur në “kampe përqendrimi ku shfrytëzohen dhe trajtohen si skllevër”.

Në të kaluarën ai ka thënë se kjo ka ndodhur në Libi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore