Sport

Ndeshja që parapriu protestat antikomuniste në Shqipëri


Në morin e ngjarjeve të fundviteve ’90 në Europën Lindore, nuk kishte si të shpëtonte edhe Shqipëria. Rënia e Murit të Berlinit, në vitin 1989, do të shkaktonte një valë ndryshimesh politike, në atë që njihej si Blloku Lindor.

Në kuadër të këtyre ngjarjeve, si sot, 31 vite më parë, më 26 mars 1990, Shqipëria do të shikonte protestën e parë antikomuniste, që do të shpërthente në qytetin e Kavajës.

Ishte dita e dytë që Kavaja trembte seriozisht sistemin komunist. Më parë ekzistonin nën-zëra kundër sistemit, por asnjëherë nuk ishin bërë publikisht.

Një ditë më parë, më 25 mars 1990, në qytetin e Kavajës, luhej ndeshja Besa – Partizani. Në stadiumin e futbollit të qytetit të Kavajës, ashtu si në çdo stadium tjetër në Shqipëri, ndeshja ndiqej me interes të madh nga tifozët vendas.

Ishte pikërisht një pjesë e këtyre tifozëve, të rinjë në moshë, që nuk pajtoheshin më me propagandën, idetë dhe gjithçka bënte sistemi komunist.

Organizimi i thirrjeve antikomuniste në ndeshjen Besa – Partizani, ishte programuar që të ndodhte në minutën e 88-të të takimit. Por, entuziazimi për të bërë diçka që shihej si “risi” nuk e priti dot minutën e 88-të.

Shkëndijat e para me thirrje antikomuniste nisën më herët. Në shkallët e stadiumit dëgjohej “Poshtë komunizmi”, “Liri-demokraci”, apo dhe “Poshtë Nexhmije Hoxha”.

Kaq mjaftoi që “stadiumi” të “shpërthente” kundër atij sistemi dhe të niste konfrontimi me policinë. Nga ngjarjet e 25 marsit, pati të plagosur dhe të arrestuar.

“Akte rrugaçërie të disa vagabondëve me prapavijë armiqësore”, do i quante Ministri i Brendshëm asokohe, Simon Stefani, në relacionin drejtuar ish-Presidentit, Ramiz Alia dhe ish-Kryeministrit, Adil Çarçanit.

Por, këto ngjarje do të ishin pikënisja e një proteste antikomuniste në rrugët e qytetit një ditë më pas.

Në dokumentin e 9 prillit 1990, që Ministria e Punëve të Brendshme i drejtonte Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit, shpjegohet më qartë se çfarë ndodhi në ngjarjet e 26 marsit.

Për ngjarjet në ndeshjen Besa – Partizani u arrestuan 23 persona, ku një pjesë e mirë e tyre u identifikua nga kamerat e TVSH-së që filmuan ngjarjen.

“Në 26 mars, në orën 19:00, në drejtim të rajonit të Policisë së Kavajës u shfaq një grup me 200-300 persona, të rinjë në moshë”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Turma bënte thirrje “Lironi shokët tanë”, “Liri-demokraci”, “Poshtë diktatura” etj. dhe më pas filluan të godisnin me gurë, duke thyer disa xhama të godinës. Më pas turma vijoi për në sheshin qëndror të qytetit, derisa në fund u bë neutralizimi i plotë i tyre, nën egërsinë dhe brutalitetin e policisë.

Protestat antikomuniste do të vazhdonin edhe në qytete të tjera dhe fryma antikomuniste rritej. Për të ardhur te ngjarjet e dhjetorit 1990, ku sistemi komunist bie përfundimisht dhe lejohet pluralizmi politik, pas gati 50 vitesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore