Lajme

“Ndërkombëtarët kundër Vettingut”, Haxhiu: Kemi mbështetjen e qytetarëve – kjo na intereson


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për tri propozim-amendamentet kushtetuese, që kanë të bëjnë me Vettingun në sistemin e drejtësisë, ka thënë se e ka pasur përkrahjen e qytetarëve, por jo edhe të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët sipas saj “kanë thënë se Kosova nuk ka nevojë për Vetting”.

“Ne kemi pasur përkrahjen e qytetarëve për ta bërë Vettingun në sistemin e drejtësisë, për mua kjo është e rëndësishme. Ndërsa me partnerët ndërkombëtar, me shoqërinë civile mund të kemi në vazhdimësi diskutime për t’u përballur me argumente. Partnerët kanë thënë që Kosova s’duhet të ketë Vetting dhe kanë thënë se Kosova duhet të forcojë mekanizmat e brendshëm të Vettingut”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se Vettingu “është çelësi që Kosova të jetë shtet i së drejtës” dhe është kushti që sistemi i drejtësisë, apo në sistemin e drejtësisë “të kemi prokuror me integritet të lartë moral edhe profesional”.

“Vettingu është rruga e vetme që mund të sigurohemi që gjykatat dhe prokurorit veprojnë në mandatin tyre ligjor. Vettingu është mundësia për kthyer besimin qytetarëve tek institucionet e drejtësisë”, potencoi ai.

Megjithatë, Kuvendi nuk ka arritur të votojë amendamentet kushtetuese për Vettingun. Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 87 deputetë, tetë prej tyre nga komunitetet joshumicë, për çka kërkohet të jenë prezent 14 deputetë për ndryshime kushtetuese.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e kishte kaluar shumicën e amendamenteve të propozuara kushtetuese për procesin e Vettingut, kërkesë kjo që ishte bërë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Lajmin e pati bërë të ditur Kushtetuesja përmes një komunikate për media, ku thuhet se tri nga katër amendamente nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore