Lajme

Ndahen fonde nga Qeveria për punësimin e qytetarëve në Veri


Veriu i Kosovës.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), ka njoftuar se ka ndarë fonde prej 70% si një masë për t’i ndihmuar qytetarët në katër komunat me shumicë serbe në Veri që të punësohen.

Përmes një komunikate për media nga MFPT, është thënë se ky vendim u morë gjatë një takimi me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, sipas Ministrisë.

“Për të përkrahur punësimin e qytetarëve në këto komuna, MFPT do të subvencionojë 70% të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë deri në maksimumin prej 350 eurove. Për të përfituar nga kjo masë, punëkërkuesit duhet të jenë të regjistruar si të tillë në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse, të jenë mbi moshën 18 vjeç si dhe të jenë banorë në njërën nga katër komunat veriore”.

“Ndërsa, punëdhënësit gjithashtu duhet të jenë me bazë në njërën nga katër komunat veriore si dhe të jenë duke funksionuar në mënyrë të rregullt ashtu siç parashihet përmes legjislacionit të Kosovës”

Skema “Qeveria për Familjet”, kishte nisur të subvencionoj pagat për anëtarët e familjeve që nuk kishin asnjë të punësuar, ku deri më tani kanë përfituar mbi 2 mijë e 600 familje përfshirë këtu edhe qytetarët në katër komunat veriore.

Pastaj, përkrahja u zgjerua për viktimat e dhunës në familje.

Kurse, qytetarët nga katër komunat veriore mund t’i bashkohen skemës pa marrë parasysh a kanë ndonjë anëtar të punësuar apo jo.

Sipas ministrisë, kështu garantohet punësim gjithëpërfshirës dhe i dinjitetshëm për të gjithë.

Vendimi i këtij dikasteri vjen në ditën kur serbët e Kosovës, protestuan në Mitrovicën e Veriut, ndaj vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit për pagesa me para të gatshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore