Përballje

NBA/ Dallas, Brooklyn dhe Lakers bëjnë detyrën, Milwaukee dështon përsëri


Vazhdon maratona e sezonit të rregullt në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Gjatë së dielës, në program ishin pesë takime.

E nisi Dallas Mavericks dhe e mbylli Los Angeles Lakers.

Dallas Maveriks:

Të udhëhequr nga Luka Doncic, Mavs arritën një fitore jo edhe shumë të lehtë përballë Sacramento Kings.

Mavericks dominuan dy periudha, me Kings që po ashtu dominuan aq.

Mirëpo, çereku i parë i fortë i Dallas-it ishte ndihmë për gjithë takimin, që arriti ta menagjojë epërsinë deri në fund.

Lojtari më i spikatur i takimit ishte Luka Doncic, me 23 pikë, dhjetë asistime dhe tetë kërcime.

Milwaukee Bucks:

Kampionët në fuqi pësuan humbjen e tretë radhazi në NBA, këtë radhë nga Utah Jazz.

Jazz po kalojnë një formë shumë të mirë, duke u renditur në vendin e parë në konferencën perëndimore, me pesë fitore dhe një humbje.

Gjatë ndeshjes së mbrëmshme, Jazz dominoi tre periudhat e para, duke e fituar ndeshjen në fund me rezultat 95-107.

Donovan Mitchell ishte basketbollisti më i dalluar, me 28 pikë, katër kërcime dhe dy asistime.

Brooklyn Nets:

Nets zhvilluan një nga ndeshjet e tyre më të mira të sezonit përballë Detroit Pistons.

Skuadra e yjeve, dominoi çdo çerek.

Në fund, Nets fitoi me rezultat të thellë 117-91. Për ta kjo ishte fitorja e dytë radhazi, dhe e katërta në përgjithësi.

Kurse për Detroit Pistons, kjo ishte humbje e pestë nga gjashtë takime.

Durant ishte pikëshënuesi më i mirë, me 23 sosh, kurse James Harden arriti treshifrorë të dyfishtë, me 18 pikë, dhjetë kërcime dhe 12 asistime.

Los Angeles Lakers:

Falë paraqitjes së mirë të veteranëve Anthony dhe Westbrook, Lakers arritën fitoren përballë Houston Rockets.

I pari, Carmelo Anthony, shënoi 23 pikë dhe kishte tri kërcime.

Westbrook në anën tjetër kishte 20 pikë, tetë kërcime dhe nëntë asistime.

Ndeshja u mbyll me rezultat 95-85 me Lakers që arritën fitoren e katërt nga shtatë takime.

Rockets mbesin thuajse në fund me një fitore dhe pesë humbje.

Në ndeshjen tjetër të natës, Charlotte Hornets fitoi 125-113 përballë Portland Trail Blazers.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore