Lajme

Navalny-Emri që Putin nuk e ka përmendur asnjëherë


Majtas, kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny. Djathtas, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njihet si një person me shumë pushtet dhe njeri që nuk i trembet askujt. Gjatë gjithë karrierës së tij politike, askush nuk i ka bërë ballë figurës së tij autoritare. Pavarësisht kësaj, ka vetëm një emër, të cilin ai nuk e ka përmendur asnjëherë: Alexei Navalny!

Kritiku i Kremlinit, është kthyer në një ikonë globale të opozitarizmit. Një imazh integral, i palëkundur, karizmatik. Mbi të gjitha, figura anti-Putin më e mbështetur në 20 vitet e fundit.

Fushatat e tij zhvillohen në media sociale. Batutat e karakterizojnë në çdo dalje publike. Shumë prej tyre, thumbojnë Putin-in në mënyra që askush nuk i ka imagjinuar më parë. Gjithë ky popullaritet, i krijuar në thuajse dhjetë vite të mundimshme, ku në rrezik, është vënë edhe jeta e tij.

Me nga prapa një ekip të tërë hulumtues që ekspozon skandale dhe shpërdorime detyre të presidentit rus, Alexei Navalny, është shndërruar në një mit të gjallë.

Kush është Alexei Navalny?

Navalny është kreu i Partisë Rusia për të Ardhmen. Ai e mori këtë post në vitin 2013, pas dy viteve aktivizëm në shoqërinë civile moskovite.

Opozitari e nisi rrugëtimin duke protestuar në rrugë, me grupime të vogla kundër Putin-it. Mbështetja ndaj tij u rrit gradualisht, deri në çastin kur ai u bë shumë i dukshëm për të mbetur në hije.

Pavarësisht kësaj, presidenti rus nuk e përmendi emrin e tij asnjëherë në publik. “Se di pse nuk e përmend. Ndoshta ka frikë nga unë”, deklaronte Navalny në 2017-ën, në një intervistë për CNN.

Në fakt, shumë e kanë cilësuar si “njeriu të cilit Putin-i i trembet”. I trembet, deri në pikën sa të kërkonte helmimin e tij, me një agjent kimik rreptësishtë të ndaluar për t’u përdorur.

Pavarësisht faktit se nuk është faktuar kurrë autorësia e helmimit të Navalny-t, disa përgjime të zhvilluara nga agjencia investigative e atashuar me CNN-in, Bellingcat, nxorri në dritë një oficer të Forcave Sekrete në Rusi, i cili pohoi se ishin dhënë urdhra për helmimin e opozitarit.

Por Alexei mbijetoi! Pas një kome të gjatë, u rikthye në jetë, më i etur se kurrë për të folur armikut të tij më të madh. Guximi i tij arriti deri aty, sa të priste vetë biletën drejt Moskës, pavarësisht paralajmërimeve se me shkeljen në tokën siberiane, do t’i viheshin prangat.

Pikërisht kështu ndodhi, në një gjykim të përshpejtuar. Me buzëqeshje në fytyrë dhe duke bërë shenja zemre tek xhami ndarës i sallës për gruan e tij po aq opozitare, Yulia-n, Navalny u dënua me dy vite e tetë muaj burgim.

Shpërthimi i protestave

Është e vështirë të besosh se në Rusi bëhen protesta të mëdha anti-qeveritare. Falë Navalny-t, bota arriti të shihte protestat më masive ruse në 20 vitet e fundit. Mbi 120 qytete, manifestuan për lirimin e tij.

Në protestat e ndara në tre faza të ndryshme, u arrestuan nga policia mbi 10 mijë mbështetës të opozitarit. Ajo që mbart rëndësinë më të madhe, është fakti se gjithë bota, po lartësonte figurën e një personi, i cili nuk i trembej as një prej udhëheqësve më të pushtetshëm në botë për sytë e opinionit publik.

Emri i tij nuk u përmend as këtë herë. Në asnjë çast. Në asnjë fragment të vetëm. Nuk u përmend, kur drejtpërdrejtë, Navalny nxorri një video dy orëshe ku shpjegonte se Putini kishte një “pallat mbretëror” në Detin e Zi.

Nuk u përmend as kur Navalny e quajti vendim politik dënimin e tij me burg.

Madje, Putin-i, nuk e përmendi emrin e Navalny-t, as kur ky i fundit, e quajti burracak për faktin se presidenti kishte frikë ti përmendte emrin.

Nuk është një hije e të kaluarës, por një realitet aktual. Nëse Navalny nuk arrin të rrëzojë Putin-in nga froni, ndoshta askush nuk do të ketë më mundësinë ta bëjë këtë gjë.

Ai është i vetmi person, që mund të ndryshojë gjithë rrjedhën historike moderne të Rusisë.

Navalny, është i vetmi emër që Vladimir Putin, nuk e ka përmendur asnjëherë në publik!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore