Përballje

Nata e All Star me shumë surpriza (Video)


Ekipi Lebron James deklasoi skuadrën e Kevin Durant ndërsa Curry me Sabonis e Simmons fituan kompeticionet e natës së All Star.

Në vend që ndeshja e All Star të mbahet si zakonisht, për tre ditë me radhë, NBA arriti të përmbledh gjithçka në një mbrëmje këtë herë për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Lojtarët më të mirë nga NBA u mblodhën në palestrën e State Farm në Atlanta me garat e trepikëshit, ngulitjes më të mirë, aftësive basketbollistike dhe Lojën All-Star të gjitha që zhvilloheshin brenda disa orëve.

Ndryshe nga All Stari i vitit të kaluar i cili ishte i mbuluar me dramë, këtë herë dështuan që të japin një fund emocionues si ndeshja e vitit 2020, pasi skuadra e LeBron James dominoi me një fitore të thellë 170:150 ndaj skuadrës së Kevin Durant.

Giannis Antetokounmpo morri trofeun e lojtarit më të mirë të All-Star pasi shënoi 35 pikë i cili u tregua perfekt duke mos e humbur asnjë gjuajtje.

Edhe pse ndeshja u dominua bindshëm nga njëra ekipë, kjo nuk do të thotë që nuk kishte spektakël nga lojtarët e NBA.

Damian Lillard dhe Steph Curry dhuruan spektakël me gjuajtjet nga gjysma e fushës, ku Lillard po ashtu surprizoi kundërshtarin duke shënuar pikët e fundit nga gjysma e fushës.

As ngulitjet nuk mungonin në duelin e All Star, Zion Williamson, Giannis  Antetokounmpo, Jayson Tatum kishin ngulitje fantastike.

Por, surprizë ishin ngulitjet e Steph Curryt dhe Chris Paul të cilët u ngulitën me anë të “Alley Oop”.

https://www.youtube.com/watch?v=v0Fi_nkUH_4&ab_channel=MLGHighlights

Kompeticionet e tjera të All Star ishin mjaft interesante ku nata e së dielës filloi me garën e aftësive basketbollistike.

Këtë garë e fitoi Domantas Sabonis i cili mposhti Julius Randle në rundin e parë, pastaj mposhti Luka Doncic dhe në finale u përball me malazezin Nikola Vucevic të cilin Sabonis e mposhti në një garë shumë të ngushtë.

Pas garës së aftësive basketbollistike, filloi edhe gara për trepikësha. Ky ishte kompeticioni më i mirë i natës të cilin e fitoi Steph Curry me rezultat minimal në finale.

Në rundin e parë në garën për tre pikë, Curry befasoi duke thyer rekordin e Devin Booker i cili kishte shënuar 28 pikë, por Curry nuk ndalej dhe shënoi plotë 31 pikë.

Befasia e kësaj gare ishte Mike Conley i cili nuk pritej të performonte aq mirë, por ai ishte shumë afër të mposht Curryn.

Curry në finalen e garës për tre pikë u tregua vendimtar ku me gjuajtjen e fundit ai arriti të shënoi 28 pikë dhe kaloj Conleyn i cili kishte 27 pikë.

Gara për ngulitjen më të mirë ishte nga më të dobëtat në histori të NBA.

Gara ishte mes Obbi Toppin dhe Anfernee Simons, por ky i fundit bëri aq sa duhet për të fituar garën e ngulitjes më të mirë.

https://www.youtube.com/watch?v=uq4tmHHj-Qs&ab_channel=MLGHighlights

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore