Teknologji

NASA, në vitin 2035 njerëzit në Mars


Agjensia hapësinore, NASA,  ka planifikuar që në vitin 2035 të jetë e gatshme të zbresë njerëzit në planetin e kuq, në Mars.

Agjensia e lajmeve, CNN, shkruan se planeti Mars konsiderohet si një mjedis armiqësor në të cilin sa më shumë që u duhet shkencëtarëve për të arritur atje dhe sa më shumë u duhet të qëndrojnë, aq më shumë ata janë në rrezik pasi në Mars nuk ka pothuajse aspak oksigjen.

Sipas CNN, kjo është edhe arsyeja pse shkencëtarët janë në kërkim të mënyrave për të zvogëluar kohën e udhëtimit.

Ultra Safe Nuclear Technologies (USNC-Tech), kompani me bazë në Seattle, ka propozuar një zgjidhje ku nëpërmjet një motori bërthamor me shtytës termik mund të realizohet kalimi i njerëzve nga toka drejt planetit Mars në vetëm tre muaj.

Ndërkohë që aktualisht, udhëtimi më i shkurtër i mundshëm nga toka drejt planetit Mars për një anije kozmike pa pilot, realizohet për shtatë muaj. Ndërsa një mission i ekuipazhit llogaritet të zgjasë të paktën nëntë muaj.

Drejtori i inxhinierisë te USNC-Tech, Michael Eades, ka thënë se raketat me energji bërthamore do të ishin më të fuqishme dhe dy herë më shumë efikase se sa motorët kimikë që përdoren momentalisht. Kjo do të thotë se raketat me energji bërthamore mund të udhëtojnë më shumë dhe më shpejtë duke djegur më pak karburant.

“Teknologjia bërthamore do të zgjerojë arritjen e njerëzimit përtej orbitës së ulët të tokës dhe në hapësirën e thellë”, është shprehur Eades për CNN.

Ai ka shtuar gjithashtu, se mundësimi i udhëtimit njerëzor drejt hapësirës mund të hapë edhe hapësira për mundësi të bizneseve të galaktikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore