Lajme

NASA ka zbuluar 5 mijë ekzoplanetë të ngjashëm me Tokën


Agjencia Amerikane e Hapësirës, ​​NASA, sapo ka certifikuar ekzistencën e ekzoplanetit të pesë mijtë.

Ka të ngjashëm me Saturnin, Jupiterin apo me Neptunin.

Por për do njëzet prej ekzoplaneteve gjendet një “tokësor”, të përbërë prej shkëmbi.

Pesë mijë është vetëm një numër. Ama numër që ka shumë rëndësi sepse deri para disa vitesh, mendohej se ishim të vetmit që kishim një sistem diellor me një Tokë dhe disa planetë të tjerë.

Ekzoplaneti i parë është parë në vitin 1992, 30 vjet më parë.

Alexander Wolszczan, shkencëtari që nënshkroi artikullin në të cilin u zbulua, parashikoi se “nëse mund të gjejmë një planet rreth një ylli neutron, mund t’i gjejmë kudo”.

Dhe NASA tanimë vlerëson se ka qindra miliarda prej tyre vetëm në galaktikën tonë, Rrugën e Qumështit.

“Nuk është vetëm një numër, secila prej tyre është një botë e re, një planet i ri. Jam entuziaste për secilin prej tyre sepse nuk dimë asgjë për ta”, ka thënë shkencëtarja përgjegjëse Jessie Christiansen.

Në grupin e fundit janë zbuluar 65 së bashku. Më shumë se një për qind e totalit.

Por çfarë ka ndryshuar që nga vitet 1990?

“Ekzoplanetet janë territor i nxehtë për kërkimin e astrofizikës. Kështu që pyetja themelore e NASA-s është nëse jemi vetëm ne në univers. Dhe për t’iu përgjigjur kësaj duhet gjetur një planet që ka karakteristika të ngjashme me Tokën”.

Kështu ka shpjeguar Rita Sambruna, zëvendësdrejtoreshë e Divizionit të Astrofizikës së Qendrës së Fluturimeve Hapësinore Goddard, qendra më e madhe shkencore e NASA-s.

Problemi është se, ndryshe nga planetët në sistemin diellor që janë afër njëri-tjetrit, ekzoplanetët janë të largët dhe të vështirë për t’u gjetur.

Jo vetëm kaq. Janë të vështirë për t’u studiuar.

Vetëm përmes teknikave të veçanta është arritur gjetja e tyre.

“Përmes tyre jemi në gjendje të përcaktojmë masën dhe madhësinë e ekzoplanetit, distancën nga ylli. Dhe kjo tashmë na lejon të marrim disa informacione bazuar në masën dhe madhësinë e tyre”, ka treguar ajo.

Mjetet e avancuara, si teleskopi hapësinor James Webb, arrihet të studiohet atmosfera e ekzoplanetit, duke kërkuar elemente kimike dhe molekula komplekse.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore