Përballje

Napoli shkatërron Sampdoria-n, Lazio ndan pikët me Torino-n


Napoli ka realizuar fitoren e pestë radhazi nga po aq ndeshje në Serie A, duke e shpartalluar Sampdoria-n me rezultat 0:4.

Serinë e golave e hapi nigeriani Victor Osimhen, në minutën e 10-të të ndeshjes, pas një asistimi të marrë nga Lorenzo Insigne.

Insigne asistoi përsëri te goli i dytë në minutën e 39-të, në të cilën realizoi një gol të bukur nga jashtë zone Fabian Ruiz.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi 0:2 të Napoli-t, derisa pesë minuta pasi filloi e dytë, ishte përsëri Osimhen që trefishoi rezultatin.

Në minutën e 59-të, Pitor Zielinski realizoi golin e katërt për Napoli-n, gol ky që mbylli ndeshjen.

Në këtë takim, Amir Rrahmani luajti për 47 minutat e para, por u largua nga loja pasi që pësoi një lëndim në kokë.

Me këto tri pikë, Napoli rimerr kreun e tabelës në Serie A, me 15 pikë të grumbulluara, duke lënë prapa Inter-in dhe Milan-in me nga 13 pikë.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër, Lazio kthehet me një pikë, duke barazuar me rezultat 1:1 me Torinon.

Marko Pjaca realizoi gol në minutën e 76-të për epërsinë e Torino-s, por mysafirët barazuan në fund përmes Ciro Immobile, i cili shënoi nga penalltia.

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, u paraqit standard, ndërsa reprezentuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, u inkuadrua nga minuta 79-të për Lazion.

Lazio momentalisht pozicionohet në vendin e shtatë në tabelë me tetë pikë, kurse Torino në vendin e 10-të me një pikë më pak.

Java e pestë në Serie A do të mbyllet me ndeshjen Roma – Udinese që do të fillojë në ora 20:45.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore