Lajme

Nagavci dhe Rama diskutojnë për përmirësimin e cilësisë në arsim


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci pas takimit me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Këtë e ka bërë të ditur Nagavci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“E informova se jemi të interesuar të investojmë në shumë projekte dhe na duhet edhe përkrahja dhe bashkëpunimi i tyre në identifikimin e hapsirave të nevojshme infrastrukturore”, ka shkruar Nagavci.

Ministrja theksoi se kanë diskutuar edhe për problemet me të cilat është duke u ballafaquar arsimi.

“Ndër të tjera, diskutuam për Gjimnazin e specializuar matematikor në Prishtinë dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo shkollë”.

“Kërkova që si Komunë e Prishtinës të shikojnë mundësinë për gjetjen e një lokacioni për sigurimin e konviktit për nxënësit e këtij Gjimnazi ashtu siç ka qenë e paraparë që në fillim”.

Teksa temë diskutimi e kanë pasur edhe sigurimin e lokacionit për ndërtimin e shkollës së Muzikës në Prishtinë.

“Kryetari më informoi se tashmë është siguruar lokacioni dhe shumë shpejt do të vazhdohet me procedurat tjera”.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës gjatë takimit ka shprehur shqetësimin sa i përket rekrutimit të stafit në shkollat profesionale.

“Me kryetarin Rama u pajtuam që të shtyjmë përpara projektet e përbashkëta, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe cilësisë në arsim”.

Ndryshe, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, këtë të premte ka pritur në takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), me të cilët ka diskutuar për grevën e cila po vazhdon qysh nga 25 gushti i këtij viti.

Megjithatë takimi në fjalë ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për të ndërprerë grevën në arsim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore