Lajme

SBASHK-u në takim me Nagavcin, s’ka marrëveshje për ndërprerjen e grevës


Takimi SBASHK-MASHT

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, këtë të premte ka pritur në takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), me të cilët ka diskutuar për grevën e cila po vazhdon qysh nga 25 gushti i këtij viti.

Megjithatë takimi në fjalë ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për të ndërprerë grevën në arsim.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, Nagavci ka kërkuar nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, që mësimdhënësit që nga e hëna të fillojnë procesin mësimor ndërkohë që dialogu të vazhdojë.

Sipas Nagavcit, pjesa më e madhe e punëtorëve janë në vendet e tyre të punës ndonëse greva është shpallur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës për 84 mijë zyrtarë publikë.

“Ata që po pësojnë nga greva e shpallur janë rreth 320 mijë nxënës që kanë mbetur jashtë bankave shkollore. Secili prej nesh e kemi obligim moral e ligjor të sigurohemi për mirëqenien e fëmijëve dhe garantimin e së drejtës së tyre për arsim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Më tej, Nagavci ka informuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë, më saktësish për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit.

Ndërkaq, përfaqësues të Sindikatës kanë thënë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre prej 100 euro.

“MASHTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme”, përfundon komunikata. 

Greva vazhdon…

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, në një paraqitje në Radio Televizionin e Kosovës, në edicionin e lajmeve të së dielës bëri të ditur se do ta vazhdojnë grevën, derisa qeveria t’u bindet dhe t’ua plotësojë kërkesën për 100 euro shtesë, derisa të implementohet ligji i ri për paga.

I pyetur se ka disa zëra edhe brenda komunitetit të mësimdhënësve që thonë se do ta bojkotojnë grevë e t’i kthehen mësimit, ai shtoi se është “i sigurt se kolegët e mi nuk luhaten ndaj presioneve”.

Prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, por kush do t’i mësojë, meqë mësuesit janë në grevë? T’u ikin presionet edhe prindërit”.

“Unë i njoh kolegët e mi kudo në Kosovë, dhe ata vetë kanë kërkuar që ne të bëjmë presion me greve, si mjet i fundit. I lus të gjithë të heqin dorë nga presionet dhe të dialogojmë. Veç kështu ndërpritet greva, e jo pa u realizuar kërkesat”.

Greva e mësimdhënësve të Kosovës ka filluar tash e 12 ditë. Nga 25 gushti, shtatë ditë para se të fillonte procesi i rregullt mësimor, SBASHK-u njoftoi se po futen në grevë, pasi qeveria s’po i përfillë as ata dhe as kërkesat e tyre.

Kryeministri Albin Kurti ka folur për këtë çështje, por vetëm sa për t’i ofenduar mësimdhënësit duke i quajtur prodhues të analfabetizmit funksionalë.

Greva ka hapur edhe një debat të madh në Kosovë, me disa që kërkojnë t’u plotësohen kërkesat mësuesve dhe të tjerë, përkrahës të qeverisë, të cilët pohojnë se mësuesit nuk meritojnë më shumë se sa marrin, meqë nuk prodhojnë kuadro cilësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore