Rajoni

MV: pandemia çon në mbyllje të 6 mijë bizneseve


Në Maqedoninë e Veriut, si pasojë e pandemisë Covid-19, gjatë vitit të kaluar janë mbyllur gjithsej 6 mijë e 214 kompani private. Gjashtë muajt e parë të vitit 2020, ishin mbyllur mbi 4 mijë biznese.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), deklaruan se kjo shifër është alarmante në sektorin e biznesit. Sipas tyre, pandemia ka shkatërruar totalisht ekonominë dhe rimëkëmbja do të jetë e vështirë.

Ora policore, ishte fatale për kompanitë e bizneset. Nga falimentimi i tyre, mbetën të papunë një numër i madh i maqedonasve.

Sipas Odës Ekonomike, fajtore është Qeveria, pasi nuk ka shfrytëzuar të gjithë mekanizmat për mbajtjen gjallë të shumë bizneseve.

Sipas verifikimeve të OEMVP-së, sektorët më të prekur janë hoteleria e turizmi dhe transporti i udhëtarëve.

Drejtori i OEMVP-SË, Drilon Iseni, i bëri thirrje Qeverisë, që të ushtrojë presion tek bankat. Këta të fundit duhet të mundësojnë, sipas tij, kredi me norma interesi më të ulëta, pasi kompanitë kanë nevojë për mjete likuide në këtë periudhë. Si model, duhet të merren mënyrat se si kanë vepruar shtetet më të zhvilluara.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, gjatë vitit të kaluar, kanë humbur vendin e punës më shumë se 40 mijë qytetarë. Ndërsa, përsa i përket qytetarëve që punojnë në të zezë, shifra mund të jetë më e lartë, përsa i përket papunësisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, deri tani ka firmosur katër paketa ekonomike, për të ndihmuar  bizneset dhe qytetarët që kanë pasur probleme me funksionimin gjatë pandemisë. Por, sipas ekspertëve, shuma e planifikuar është simbolike dhe jo sipas nevojave specifike të secilit biznes. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore