Lajme

Muzeu për dokumentimin e krimeve të luftës, Çeku: Kosova do të ketë një institucion muzeal të dinjitetshëm


Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se institucionet janë duke hedhur “hapa të sigurtë” në drejtim të hartimit të konceptit për themelimin e muzeut për dokumentim dhe prezantim të krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve.

Ministri Çeku të enjten ka zhvilluar një takim me grupin punues për themelimin e këtij “institucionu muzeal”, me të cilët ka diskutuar ndër të tjera për konceptin fillestar, hapat konkretë dhe punën që është duke u bërë në vazhdimësi e po ashtu ndarjen e përgjegjësive.

“Kosova do të ketë një institucion muzeal të dinjitetshëm ku do të dokumentohet historia jonë, prezantohet për qytetarët, për vizitorët dhe përcjellet për brezat e rinj, dhe për këtë do të marrim shembujt më të mirë që janë aktualisht në botë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e grupit punues për themelimin e muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, më 7 qershor të këtij viti.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore