Kulturë

Muzeu Kombëtar përkujton Maks Velo-n në ditën e lindjes së tij


Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar arkitektin dhe piktorin e njohur, Maks Velo, në ditën e lindjes së tij.

Velo u lind në Paris, më 31 gusht të vitit 1935.

Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.

Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha.

Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Më pas specializohet për arkitekturë dhe, në vitin 1960, merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.

Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës.

Vitet ‘78-‘79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.

Maks Velo ishte arkitekt në profesion. Në të njëjtën kohë, piktor dhe artist, anëtar i ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Pas Plenumit 1978, dënohet sepse: vepra e tij “frymëzohet nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”.

Pra, i burgosur politik për artin dhe idetë, sepse nuk bënte art politik, nuk mendonte politikisht siç bëhej në Shqipërinë Komuniste. Tablotë i digjen.

Vizatimet e arkitekturës e të portreteve, vizatimet abstrakte që fillojnë në vitin 1964, po ashtu dhe shumë punë në vaj e pastel të viteve 1960-‘70 janë dëshmi e lëvrimit në fshehtësi të artit abstrakt e surrealist në Shqipëri.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh, si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj.

Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë, sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Ai la një gjurmë të pashlyeshme në emancipimin dhe zhvillimin e artit shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore