Lajme

Mustafa, Ramës: Unë me shkopin tim, në qytetin tim s’pajtohem të vëzhgohem nga kamerat


Ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama lidhur me paralajmërim për vendosjen e kamerave, duke thënë se nuk pajtohet që kryeqytetasit të futen në vëzhgim.

Mustafa, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka konsideruar se nuk është e drejtë që të mbikëqyret çdo lëvizje e njerëzve.

“Nuk kemi të drejtë të mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë, çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj. Unë me shkopin tim, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem nga kamerat, sepse shkopin e mbaj për arsye shëndetësore e jo që ta cenoj askënd!”, ka shkruar ai.

Tutje ka thënë se në vitin 2012 kur në atë kohë ishte kryetar i Prishtinës, planifikonte një gjë të ngjashme, por që në fund kishin vendosur që të mos e bëjnë për arsye të ndryshme.

“Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm”.

“Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua mu duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë. Kur u ktheva ua kumtova bashkëpunëtorëve të mi se ne nuk duhet të bëjmë këtë”, sqaroi Mustafa.

Më 3 janar, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte njoftuar se nga ky fillimvit do të vendosen kamerat e sigurisë të cilat do t’i monitorojë policia e vendit.

“Këto kamera kanë një inteligjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, të cilat do t’na ndihmojnë që përmes policisë, të bëjmë identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet”, ka shkruar në Facebook Rama.

I pari i Prishtinës, ka deklaruar se përmes këtij sistemi, do të identifikohen, në kohë rekord, personat e përfshirë në vjedhje, rrahje apo çfarëdo vepre të tillë, derisa ka potencuar se do të ulet numri i këtyre rasteve dhe rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore