Lajme

Mustafa mbron Kusari-Lilën që foli me Radojiçiçin: Askush s’bënë tradhti kombëtare nëse ia zgjat dorën serbëve të Kosovës


Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, në një intervistë për Albanian Post i ka dalë në mbrojte shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e cila ka biseduar në telefon me kriminelin që udhëheqë bandat në Veri, Milan Radojiçiç.

“Unë në të kaluarën kam qenë pjesë e parlamentit të Kosovës madje edhe kam udhëhequr komisionin për siguri. Në secilin komision kanë qenë të përfshirë të gjitha komunitetet duke përfshirë edhe komunitetin serb. Komunitetet jo shumicë duke përfshi edhe komunitetin serb duhet trajtuar si pjesë integrale të shoqërisë madje edhe si aset shtetëror. Askush nuk bënë tradhti kombëtare nëse e zgjat dorën e integrimit të tyre brenda shtetit dhe shoqërisë Kosovare”, tha ai.

“Mos harroni që bashkësia ndërkombëtare ka investuar por edhe ne kemi luftuar për një Kosovë multietnike ku të gjitha komunitetet duhet të gëzojnë të drejta të barabarta në shoqëri e përfaqësim”.

Komandant “Remi” ka theksuar se “ne e dimë më së miri se çfarë është të diskrimininohesh, dukuri kundër të cilave kemi luftuar”.

“Zonja Kusari, por edhe kush do që zgjatë dorën e integrimit me të gjitha komunitetet duke përfshi edhe komunitetin serb, duhet përshëndetur e jo persekutuar”, shtoi ai.

Për Mustafën, Kosova dhe e ardhmja e saj do të jetë në rrugën e duhur për në Evropë, vetëm nëse respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut duke përfshi edhe komunitetet tjera pakicë.

“Vetëm në këtë mënyrë Evropa dhe perëndimi na i hapë dyert e integrimit dhe bashkimit në familjen e madhe të Evropës”.

Intervistë me Rrustem Mustafën, “Remin”: Ramush Haradinaj ngutet dhe bënë deklarata te cilat nuk i beson as vetë se isha “turist” në UÇK

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore