Lajme

Mustafa: Letra e Mogherinit për Asociacionin duhet të vlejë akoma – Borrelli duhet ta respektojë këtë zotim


Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, tha se garancia e ish-Përfaqësueses së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe s’do të përbënte nivel të tretë të pushtetit, duhet të jetë ende valide.

Kjo letër, që ish-shefja e diplomacisë evropiane ia pati dërguar ish-kryeministrit Mustafa, në vitin 2015, tash është shndërruar në një nga siguresat më të rëndësishme të kryeministri Albin Kurti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por pa kompetenca ekzekutive.

“Preokupimi im ka qenë që asociacioni të mos dal jashtë kornizave kushtetuese dhe të mos marrë përgjegjësi të pushtetit qendror, të ministrive apo të komunave, sepse ato me kushtetutë u takojnë vetëm atyre, dhe se është vetëm një formë e koordinimit në mes tyre, ashtu siç është logjika e asociimit  të paraparë me Kushtetutën e Kosovës”.

Mustafa tregoi se këtë letër e kishin shkruar vetë zyrtarët e Bashkimit Evropian pas arritjes së Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që përfshinte ndër të tjera edhe pikën 2 dhe 22. Prandaj, letra e Mogherinit, sipas Mustafës, duhet të vlejë akoma.

“Duhet të ketë ndikim sepse Mogherini ka qenë zyrtare e lartë e BE-së, siç është [Josep] Borrell sot. Dhe nëqoftëse Borrell sot i jep një zotim qeverisë aktuale lidhur me një marrëveshje që e bën më BE-në, atëherë nuk duhet të presim të kemi dyshime se vjen dikush pas Borrell-it e thotë se për mua nuk vlenë”, tha Mustafa.

Tetë vjet më vonë, kjo letër është shndërruar në një nga tri shtyllat e kryeministrit Kurti për t’u siguruar për të njëjtën gjë – që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe s’do jetë me kompetenca ekzekutive dhe para së të themelohet, duhet ta marrë dritën jeshile të Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore