Lajme

Mustafa: Hera e parë që Qeveria e Kosovës shpreh interes për çështjet e brendshme në Preshevë


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës për herë të parë ka shprehur interes për çështjet e brendshme në Preshevë.

“Unë besoj që kjo është hera e parë që drejtpërdrejt kryeministri i Republikës së Kosovës ka shprehur interes për çështjet e brendshme të Luginës së Preshevës, besoj që ka bërë mirë. Ka bërë mirë në njërën anë duke vënë në pah se Qeveria e Kosovës është e interesuar me atë se çfarë është duke ndodhur Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e posaçërisht në kuvendet komunale”.

Kjo deklaratë e Mustafës vjen pas shkarkimit të kryetares së Preshevës, Ardita Sinani e cila po konsiderohet të jetë e nxitur nga jashtë dhe nuk ka qëllim interesat e shqiptarëve të Luginës.

“Konsideroj se kjo iniciativë nuk është burimore e Preshevës, nuk është qasje politike apo përplasje politike, por është më tepër përplasje e acarimit të pozitës politike që kanë parti politike”.

“Në anën tjetër duke mos kuptuar situatën, momentin në të cilin gjeopolitikësh Lugina e Preshevës, Kosova dhe Ballkani Perëndimor, unë po besoj që me këtë vetëm sa po dëmtojnë, përkatësisht po përçajnë e po përçojnë përçarje dhe po dëmtojnë interesat e Luginës së Preshevës”, deklaron ai për agjencinë e lajmeve, KosovaPress.

Komuna e Preshevës.

Ai konsideron se ka “fije shpresë” për zgjedhjen e Shaip Kamberit, deputet në Parlamentin e Serbisë.

“Nuk është vetëm çështje e shkarkimit, është konteksti dhe koha kur po ndodhë kjo. Kjo po ndodhë pas zgjedhjeve parlamentare ku shqiptarët kanë dalë pa asnjë deputet, përkatësisht në dy lista. Listën që udhëhoqi Shqiprim Arifi dhe që mori shumë pak vota, përderisa në listën që udhëhoqi Shaip Kamberi për 300 vota nuk arriti të bëhet deputet”.

Madje, Mustafa thotë se e gjitha kjo ka qëllime të tjera.

“Pas përplasjeve shumë të mëdha mes spektrit politik të Luginës së Preshevës që nuk kishte ndodhur në Luginë dhe prodhim i acarimit të marrëdhënieve ndërpartiake të subjekteve politike duke mos qenë kjo iniciativë burimore e Preshevës, konsiderojmë që është e nxitur nga jashtë e që ka për qëllim të akomodojë interesa të të tjerëve e jo të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Më 11 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka pritur në takim përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas kryeministrit, ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e Serbisë ka qenë një, “spastrim etnik administrative i heshtur, e që po sjell pasoja të mëdha”.

Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, shqiptarët në zgjedhjet e 3 prillit nuk arritën të fitojnë asnjë mandat në Zgjedhjet Parlamentare. Diku 6 mijë persona ishin fshirë nga listat e votimeve, siç u raportua ditë më parë edhe nga përfaqësues të BE-së dhe të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore