Lajme

Kurti në takim me përfaqësuesit e Luginës: Është duke u bërë spastrim etnik nga Serbia


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka pritur në takim përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Kyreministirt, përmes një njoftimi për media.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.

Sipas kryeministrit, ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e Serbisë ka qenë një, “spastrim etnik administrative i heshtur, e që po sjell pasoja të mëdha”.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit”, thuhet në njoftimin e zyrës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike”, deklaroi Kurti.

Përveç kësaj ai konsideron se në këto zgjedhja ka pasur edhe probleme të tjera.

“Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore, veçoi kryeministri”.

“Ai më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”.

Kurti, qëndrim shprehi edhe për kërkesën që është bërë ndaj kryetares së Preshevës, Ardita Sinani.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Në këtë takim ka marrë pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati.

Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin Kryetari i Alternativës për Ndryshim, z. Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, z. Sami Salihu.

Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, shqiptarët në zgjedhjet e 3 prillit nuk arritën të fitojnë asnjë mandat në Zgjedhjet Parlamentare. Diku 6 mijë persona ishin fshirë nga listat e votimeve, siç u raportua ditë më parë edhe nga përfaqësues të BE-së dhe të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore