Lajme

Musliu kërkon nga qeveria të lirojë nga pagesa e energjisë elektrike invalidët dhe veteranët e UÇK-së


Ganimete Musliu, Deputete e Partisë Demokratike të Kosovës

Vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për shtrenjtim të energjisë për 15%, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës e ka përditësuar në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka kërkuar nga ZRRE dhe institucionet e Qeverisë së Kosovës që të lirojë nga pagesa e faturave të energjisë elektrike, kategoritë e dala nga lufta për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që të nxjerrin një vendim që të lirojnë nga pagesa e rrymës, kategoritë e dala nga lufta e me theks të veçantë invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Në veçanti një pjesë e shoqërisë, siç janë kategoritë e dala nga lufta, nga kjo qeveri dhe nga institucionet janë lënë pas dore në çdo aspekt. Duke mos gjetur gatishmërinë që të mos përfshihen as në ligjin për pagën minimale, kërkoj nga ZRRE që të nxjerr një vendim dhe të lirojë nga pagesa e faturave të rrymës të gjitha kategoritë e dala nga lufta siç janë familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranët e UÇK-së. Është e rëndë dhe e pa pranueshme që kjo kategori e shoqërisë tonë të nëpërkëmbet dhe të mos trajtohet me dinjitet”, ka thënë Musliu.

Ajo ka tërhequr një paralele në mes të mos pagesës së faturave të energjisë elektrike nga qytetarët serbë dhe atyre shqiptarë në pjesën veriore të Kosovës.

“Ky shtrenjtim i rrymës nuk i prekë qytetarët e Mitrovicës veriore. Të cilët vazhdojnë të jenë të privilegjuar. Në këtë drejtim po thellohet pabarazia me qytetarët e pjesës jugore të Mitrovicës”.

“Se me këtë shtrenjtim po bëhet diskriminim në baza etnike tashmë është deklaruar edhe këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”.

Ajo ka shtuar se është e pa pranueshme dhe skajshmërisht e dhimbshme të shohësh duke u prangosur veteranë e invalidë të luftës në pamundësi për të paguar faturat.

“Rastin më të freskët e patëm javë më parë në Mitrovicë kur në pa mundësi të pagesës u prangos veterani i UÇK-së, Besim Musa nga Mitrovica. Veteranët me pension prej 170 euro në muaj e kanë të pa mundur të jetojnë e lëre më të paguajnë fatura. E jo shumë larg nga shtëpia e Musës, jetojnë qytetarët serbë të cilët nuk paguajnë as një faturë për energji elektrike”, tregon deputetja Musliu.

Më 30 mars, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në mbledhjen e radhës, ka aprovuar planin për rritjen e tarifave të çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind.

Tre anëtarë të bordit votuan pro kësaj pike ndërsa askush nga anëtarët e bordit nuk ishte kundër.

Në anën tjetër kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, tha se rritja e çmimit të energjisë po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, sipas tij, kostot do të jenë edhe më të larta.

Një ditë më vonë, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që rritja e çmimit të rrymës të mos prek Veriun dhe që serbët të vazhdojnë mos ta paguajnë energjinë.

“ZRRE, ashtu siç e kishte paralajmëruar opinionin KMDLNj-ja, dje mori vendim që faturat e rrymës vetëm për shqiptarë dhe joserbë të rriten afërsisht 15,4 për qind që ishte më shumë se 2.5 për qind nga kërkesa fillestare për rritje të çmimit  të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e KMLDNj-së.

“Natyrisht se kjo rritje nuk i prekë as edhe për një cent të vetëm serbët të cilët, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera në ndërkohë që kanë punuar për interesa të Serbisë dhe kundër institucioneve të Kosovës”.

Nga KMDLNJ-ja është përmendur edhe fakti që qytetarët e tjerë gjithmonë kanë qenë të obliguar të paguajnë energjinë, pavarësisht gjendjes së rëndë financiare.

“Që nga përfundimi i luftës e deri më sot, me lirimin nga pagesa për këto detyrime për të cilat shqiptarët dhe joserbët, pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike, nëse nuk i kanë paguar me kohë kanë përfunduar në gjykatë apo te përmbaruesi”.

Ky këshill e etiketoi kryetarin e ZRRE-së si “mashtrues” dhe të “pasinqertë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore