Aplikacione

Musk njofton pushimet masive nga puna në Twitter


Elon Musk do të fillojë pushimet masive në Twitter, duke reduktuar ndjeshëm fuqinë punëtore të platformës së mediave sociale.

Lëvizja e radhës është bërë e ditur nga një email i brendshëm i kompanisë drejtuar stafit.

“Në një përpjekje për ta vendosur Twitter-in në një rrugë të shëndetshme, do të kalojmë përmes procesit të vështirë të reduktimit të fuqisë punëtore globale të premten”, thuhet në email.

Ndërkohë, ata që do të mbajnë vendet e tyre të punës do të marrin një email në llogarinë e tyre të punës. Kurse ata që pushohen nga puna do të marrin një njoftim në emailin e tyre personal.

Po ashtu në email atyre iu është kërkuar që të mos e zbulojnë “informacionet konfidenciale të kompanisë” në mediat sociale ose në shtyp.

E gjitha vjen teksa u spekulua se Musk do të shkurtonte deri në 50 për qind të fuqisë punëtore të Twitter-it, vetëm disa ditë pasi u bë kreu i kompanisë që e bleu për 44 miliardë dollarë.

Kjo mund të nënkuptojë humbjen e mijëra vendeve të punës, pasi kompania kishte më shumë se shtatë mijë punonjës në fund të vitit 2021.

Tanimë ai ka shkarkuar disa drejtues të lartë të komapnisë menjëherë pasi mori kontrollin e saj, duke përfshirë shefin ekzekutiv Parag Agrawal, shefin e financave Ned Segal dhe shefin e çështjeve ligjore dhe politikave Vijaya Gadde.

Shkurtimet vijnë si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta bërë kompaninë fitimprurëse pasi e bleu atë për 44 miliardë dollarë, një çmim që ai pranoi se përbënte “mbipagim”.

Musk ka udhëzuar më herët ekipet e Twitter-it të çlirojnë një miliardë dollarë nga kursimet vjetore të kostos së infrastrukturës, duke ulur fondet për shërbimet dhe serverët cloud.

Ai ka paraqitur një sërë idesh për të korrur fitime në Twitter, duke përfshirë një plan për të tarifuar llogaritë “e verifikuara” dhe krijimin e një “aplikacioni për gjithçka” që do të kombinonte disa platforma në një.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore