Kosova

Murati: Mbi 7 mijë të punësuar nga “Superpuna”


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se deri më tani përmes platformës “Superpuna” janë gati 8 mijë qytetarë të punësuar.

“Superpuna në shifra, për 8 muaj operim: 7,786 të rinj përfitues të punësuar. Prej tyre 3,914 vajza dhe 3,872 djem”, shkroi ai në Facebook.

Murati ka theksuar po ashtu se në total deri më tani kanë përfituar 5,832 biznese që deri më tani kanë përfituar nga skema e mbështetjes për punësimin e të rinjve.

“Qeveria për Rininë. Qeveria për Ekonominë”, ka shtuar Murati.

Përmes platformës online “Superpuna”, të gjithë punëkërkuesit të cilët nuk kanë pasur kontratë pune paraprake dhe këtë e bëjnë për herë të parë, përmes platformës, Qeveria do të subvencionojë 264 euro rrogë për 6 muajt e parë të punës, në kompaninë që e gjejnë po përmes kësaj platforme.

Derisa në përgjithësi është parë si një politikë e mirë e qeverisë, ka pasur edhe skeptikë të ndryshëm për platformën dhe për atë se kush realisht fiton nga kjo politikë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë në vend është mbi 20 për qind.

Të dhënat e ASK-së për tregun e punës në vitin 2021, të cilat janë të fundit, tregojnë se janë mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës në moshë pune.

Prej tyre, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 100 mijë janë të regjistruar si të papunë, ndërsa mbi 740 mijë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore