Lajme

Murati: 280 mijë pensionistë tashmë kanë pranuar 100 eurot e Qeverisë


Hekuran Murati

Deri më 15 prill të këtij viti, nga pakoja e re mbështetëse që ka paraparë shpërndarjen e një shume prej 100 eurosh kanë përfituar rreth 280 mijë pensionistë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

“Ndërsa sot, në kuadër të pakos mbështetëse, rreth 26 mijë familje në skemën e ndihmës sociale do të marrin dyfishin e vlerës, tashmë të rritur. Çdoherë në mbështetje të qytetarëve”, ka shtuar ai.

Ndryshe ditë më parë, Qeveria e Kosovës, ka marrë një vendim për të ndarë një shumë prej 100 eurosh për të gjithë pensionistët, punëtorët studentët dhe ata që janë në skemë sociale në formë të një ndihme për të përballur krizën ekonomike.

Në anën tjetër, Murati të martën gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Buxhet, Punë dhe Transfere, duke arsyetuar pakon e re të Qeverisë, ka bërë të ditur se edhe shtetet s Franca dhe Gjermania, kanë paraparë ndihmesa të tilla për qytetarët e tyre.

“Kemi rastin e Francës që në vitin e kaluar ka bërë një shpërndarje të tillë pra nga 100 euro për familje të cilat kanë të hyra nën vlerën 2 mijë euro mujore, së fundi kemi një vendim nga shteti gjerman, por që ende nuk ka filluar së implementuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore