Lajme

Murati: 2 mijë të punësuar nga “Superpuna”, 51% janë vajza


Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se deri më tani përmes platformës superpuna janë gati 2 mijë qytetarë të punësuar, “për punësimin e të cilëve tashmë është proceduar subvencioni”.

Murati përmes një postimi në Facebook tha se fakti më interesant këtu, “e që na bën të krenohemi është edhe përbërja gjinore e të punësuarve – mbi 51 për qind janë vajza”.

Ilustrim

“Pra përveç adresimit të problemit të punësimit të të rinjve në përgjithësi, superpuna po ndihmon edhe në rritjen e punësimit për vajzat e gratë në veçanti”, shkroi ministri.

“Punë dhe drejtësi!”, përfundoi ai.

Ndryshe, me 2 maj, për afro 2 mijë punëtorë ishin ekzekutuar pagat nga “Superpuna”, të cilët janë angazhuar përmes këtij aplikacioni në punësim gjatë muajve shkurt dhe mars.

Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate lëshuar për mediat nga “Superpuna”.

“Superpuna njofton që është bërë ekzekutimi i pagesës për afro 2000 punëtorët e angazhuar përmes superpuna gjatë muajve shkurt dhe mars”, thuhej në komunikatë.

Në muajin mars ministri i Financave kishte bërë të ditur se përmes “superpunës” janë punësuar mbi 1 mijë të rinj.

Nëse i keni 18 vjet dhe nuk jeni punësuar akoma, asnjëherë, Qeveria e Kosovës ka menduar për ju.

Përmes platformës online “superpuna”, të gjithë punëkërkuesit të cilët nuk kanë pasur kontratë pune paraprake dhe këtë e bëjnë për herë të parë, përmes platformës, Qeveria do të subvencionojë 264 euro rrogë për 6 muajt e parë të punës, në kompaninë që e gjejnë po përmes kësaj platforme.

Derisa në përgjithësi është parë si një politikë e mirë e qeverisë, ka pasur edhe skeptikë të ndryshëm për platformën dhe për atë se kush realisht fiton nga kjo politikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore