Analisti politik nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, ndërsa ka komentuar qasjen e Francës dhe Italisë për kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka vlerësuar se kjo standard është i pamundur për t’u zbatuar.
Franca dhe Italia, sipas analistit politik, po kërkojnë zbatimin e një standardi që çdo shtet tjetër do të refuzonte ose do të dështonte ta zbatonte.
“Franca dhe Italia po aplikojnë një standard për Kosovën që asnjë shtet tjetër nuk i është dashur të kalojë dhe që shumica e shteteve anëtare do të dështonin (ose refuzonin) ta përmbushin (përfshirë edhe Serbinë). Në realitet Kosova tashmë është plotësisht në përputhje me Statutin e Këshillit të Evropës”, ka shkruar Mujanoviç në platformën sociale, X.
🇫🇷 & 🇮🇹 seemingly conditioning 🇽🇰 admittance to CoE on creation of the ASM are applying a standard to 🇽🇰 that no other state has had to go through & that most existing member states would fail (or refuse!) to meet (incl 🇷🇸). In reality 🇽🇰 already fully complies w/ Statute of CoE.
— Jasmin Mujanović (@JasminMuj) April 23, 2024
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, ka njoftuar Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.
Macron gjatë bisedës ndërsa ka përshëndetur Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ka nënvizuar rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.
Në anën tjetër sikur Franca edhe Gjermania ka kërkuar që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV ka potencuar se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.
“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.
Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.
“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.
Ndryshe të martën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se autoritete kosovare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Ahmeti për Mickoskin: Gjuajti me fishekzjarrë, unë me top dhe s’ka më të shtëna
-
Mbytja e nënës me tre fëmijët në Shkodër, Balla: RENEA vijon kërkimet, dyshime të forta për dhunë në familje
-
Zgjedhjet Evropiane, dilema e Melonit mes PPE dhe Salvinit
-
Pahor: Jam duke u përgatitur për ta udhëhequr dialogun – kandidatura dorëzohet gjatë javës në Bruksel