Lajme

Muja dërzon kallxim penal ndaj ish-ministrit: I dhanë pasuri të Trepçës një investitori privat


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, njoftoi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, se ka pranuar konfirmimin nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, për padinë e bërë ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, dhe disa ish-zyrtarëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

“Sot pranova letër konfirmimin nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për regjistrimin e Kallzimit penal për mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të informacioneve zyrtare kundër Ish-Drejtorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) z.Ramiz Krasniqi, ish-anëtarëve të Bordit të KPMM Musa Shabani, Festim Kutllovci, Azem Rexhaj, Kemajl Zeqiri, Avdi Konjuhi dhe ish-Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi”, shkroi Muja në Facebook.

Tutje, ai shtoi se këta persona dyshohen se përmes mashtrimit dhe keqpërdorimit kanë shkelur Ligjin për Miniera dhe Minerale “duke i dhënë Zonat e interesit të Ndërrmarrjes Trepça një investitori privat”.

“Të njëjtët, rezervat minerale të plumbit dhe zinkut të Trepçës në Zjaqë, Vllahi, Gumnishtë, që vlerësohen rreth 7, 650,000 milionë ton, në vlerë tregu prej rreth 1 miliardë euro, ja kishin dhënë një firme private”.

Ndërkaq, Muja potencoi se të gjithë këta zyrtarë dyshohen që kanë qenë të përzgjedhur nga funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe NISMA Social-Demokrate.

“Të gjithë zyrtarët e lartëcekur dyshohen se si fiduciarë të zgjedhur nga përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe NISMA-s me këto vendime tjetërsuan zonat e dedikuara për Trepçën, duke e zhveshur nga rezervat e saj pas miratimit të Ligjit për Trepçën, me synimin tjetër nga ai publik për të cilin duhet të kujdeseshin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore