Lajme

Muja arsyeton keqpërdorimin e 600 mijë eurove në MINT: Në dosjen e Prokurorisë ka gabime elementare – prokurori s’e din matematikën


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se në dosjen e Prokurorisë për rastin e korrupsionit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku thuhet se 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj, 120 mijë kilogramë sheqer që do të duhej të ishin në Rezervat Shtetërore e nuk janë për shkak të keqpërdorimit të 600 mijë eurove, “ka gabime elementare”.

“Me gjasë zyrtarët janë arrestuar pa u dëgjuar fare. Çka nëse vjen malli nesër, pas një jave apo muaji? Motivi për të stërpikur apo ‘luftuar puritanizmin e VV’ nuk është vetëm i opozitës. A dëgjohen eksponentët e PLAN që kanë shitur tokat bujqësore (2 euro ari), kanë vjedhur subvencionet e grurit dhe kanë shterur rezervat duke mbajtur ders?”, ka pyetur ai.

Pos kësaj, ai shprehet i bindur që nuk është dëmtuar buxheti i shtetit 600 mijë euro siç thuhet në dosjen e organit të akuzës, duke e akuzuar prokurorin e rastit se nuk e di matematikën.

“Ose po mungon një shpjegim shtesë ose prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro. Në dosje thuhet se 276,000 euro vaj/sheqer ende nuk ka ardhur dhe mungojnë 52.5 tonë ( 25,383 mijë euro)”.

“Çmimi i negociuar i grurit dhe vajit – është brenda margjinës së çmimeve në berëz gjatë mars 2022 (460-500 për ton). Çmimi i negociuar në kontratën e MINT ka qenë 484 euro për ton. Në rast se në çmim është përfshirë edhe transporti, mund të jetë kontratë shumë e favorshme për atë kohë. Çmimi i vajit të negociuar ishte afërsisht 1.1 euro – më lirë se çmimi në tregun e Kosovës në atë kohë. Për rikujtim çmimi i vajit në Kosovë ato ditë kishte shkuar në 3.49 euro për litër”, shtoi Muja.

Po ashtu ai ka theksuar se nuk është e vërtet që është shkelur procedura e prokurimit, meqë sipas tij, procedura e hapur ishte aplikuar siç parashihet në nenin 20 të Ligjit për Rezervën Shtetërore por kishte dështuar.

“Departamenti, në rrethana të dështimit të procedurës së hapur dhe nevojës emergjente për grurë ka zgjedhur një metodë që sanksionohet në nenin 3 të Ligjit për Prokurim Publik – kontratë me negocim direkt për mallra që klasifikohen si sekrete shtetërore. Çfarë do bënte Kosova në një kontekst kur mielli ishte në mungesë e çmimi i vajit po shkonte në qiell? Të pres me muaj të tërë kur çmimet në berzë ngriteshin nga dita në ditë”.

As që është kufizuar konkurrenca nuk beson Muja, pasi thotë se tregu i grurit pothuajse nuk ekzistonte për shkak se shumica e shteteve kishin ndaluar eksportin.

“Turqia si burim i grurit ishte me vend. Nuk kishte tjera në atë kohë. Edhe vendi i preferuar i tregtarëve tanë (Serbia) kishte ndaluar eksportin. Shqipëria kishte aplikuar metodē tē hapur por kishte dështuar në furnizim”, ka potencuar Muja.

Megjithatë, potencon se është e rëndësishme “të luftohet’ për çdo kokërr grurë që i takon qytetarëve, derisa ka shtuar se  për secilin pretendim të prokurorit ka shpjegime alternative.

“Zyrtarët mund të kenë iniciuar procedure të përshpejtuar jo për të shkelur ligjin, por për të siguruar rezervat në mungesë të ofertave të mëhershme dhe nevojës për të siguruar miell. Kishte panikë furnizimi në atë kohë. Vetëm prokurorët dhe gjykatësit në Kosovë e kanë luksin e kohës. Çmimet e negociuara janë sipas tregut. Rrjedhimisht duhet përqendruar tek firma që nuk ka liferuar mallin. Këtu është çështja”, shtoi ai.

“Paniku i miellit – ndërmjet 1 shkurt-30 mars 2022 kishte vështirësi të gjendej miell në markete, në raste kishte edhe radhë të qytetarëve për furnizim. Qeveria në shkurt 2022 alokon 10 milionë euro për blerje të grurit dhe produkte tjera të rezervës shtetërore. Një lider i opozitës, ish-Ministër i Bujqësisë deklaron se Kosova kishte rezerva gruri vetëm për tri ditë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore